E Diel, 1 Nëntor 2026

Olldashi: “Brenda 15 shtatorit qytetarët do të paguajnë 20 për qind më pak celular”



Brenda datës 15 shtator të këtij viti, të gjithë qytetarët që kanë një telefon celular do të paguajnë 20 për qind më pak. Lajmin e bujshëm dhe deri diku të pabesueshëm e ka bërë dje të ditur vetë ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i cili u shpreh kështu dje gjatë analizës së punës 7-mujore të dikasterit që ai drejton. Në këtë analizë ai tha se, “metodologjitë e rregullimit të tarifave të organizmit me fuqi të ndjeshme në treg për operatorët ‘Albtelekom sh.a’, ‘AMC sh.a’ dhe ‘Vodafone Albania’ kanë hyrë që sot në fuqi”. Metodologjitë e miratuara në muajin qershor të këtij viti nga Këshilli i Ministrave parashikojnë reduktimin e shpenzimeve të konsumatorëve me 20 për qind brenda vitit 2008 dhe një reduktim mesatar të mëtejshëm me 20 për qind brenda vitit të ardhshëm. Kjo do të sjellë një ulje mesatare në total prej 36 përqindësh në vitin 2009 në krahasim me shpenzimet aktuale. Metodologjitë kanë për qëllim që tarifat e vendosura nga operatorët me fuqi të ndjeshme në treg të jenë të orientuara drejt kostos, të jenë transparente, të mos jenë diskriminuese dhe të garantojnë trajtim të barabartë për operatorët dhe pajtimtarët. Tregut të telefonisë celulare në vend, pritet t’i shtohet edhe një kompani tjetër e katër, krahas “AMC sh.a”, “Vodafone Albania” dhe “Eagle Mobile”, e cila parashikohet të ketë një efekt konkret në uljen e çmimeve të telefonisë celulare në Shqipëri. Sipas ministrit Olldashi, është shpallur kërkesa për shprehje interesi për operatorin e katërt GSM (Global System for Mobile Communication) dhe është përgatitur projektvendimi për rregullat e prokurimit të licencës së katërt. Sipas Olldashit, deri në fund të këtij viti do të mbyllet dhe procesi i legalizimit për 200 mijë ndërtime. Sipas tij, janë përgatitur dosjet individuale për 100 mijë ndërtime dhe brenda javës së parë të shtatorit partia e parë do të shkojë për miratim në Këshillin e Ministrave. Në MPPTT kanë mbërritur edhe kërkesat e para për dhënien më koncesion të hekurudhave shqiptare. “Ne jemi duke i shqyrtuar dhe pritet që në muajt e mbetur të këtij viti, ose në fillim të vitit 2009 të paraqiten edhe strategjitë e zhvillimit nga kompanitë e interesuara"- tha Olldashi.

2 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›