E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie konsumi me pakicë në Eurozonë

Shitjet me pakicë në 15 vende që përdorin monedhën evropiane ranë më shumë nga ç‘pritej gjatë muajit tetor, duke shtuar gjasat e një uljeje tjetër të normave të interesit gjatë ditëve të javës në vazhdim. Niveli i tregtimit të produkteve me pakicë ra 0.8 për qind krahasuar me muajin e kaluar, ndërkohë që shumë më domethënëse ishte diferenca e kësaj shifre krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm, e cila është 2.1 për qind. Rezultatet erdhën prej një sondazhi të zhvilluar në sektorë të ndryshëm të biznesit, i cili përfundonte se të dhënat ekonomike shënonin rënie në shumë zëra.

Situata i bën analistët të mendojnë se jo shumë larg, madje të enjten, Banka Qendrore Evropiane do të ndërhyrë për të normalizuar gjendjen duke ulur normën e interesit, e cila aktualisht është 3.25 për qind. Ulja tjetër prej 0.5 përqindësh ishte ndërmarrë nga kjo bankë muajin e shkuar, ndërkohë që drejtori i Bankës Qendrore Evropiane, Zhan Klod Trishe, bëri me dije se nuk përjashtohet mundësia për ulje të mëtejshme në një çast kur Eurozona rreket të kufizojë problemet e shkaktuara nga kriza ekonomike.

Kriza financiare që nisi vitin e shkuar prej tregut të pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës tashmë ka zhytur disa prej ekonomive të mëdha botërore në recesion, përfshi këtu edhe vendet e Eurozonës. Të dhëna të ngjashme nga Kina treguan se industria e manifakturimit të këtij vendi shënoi rënie gjatë nëntorit, duke treguar se ekonomia e katërt në rang global po thithet në vorbullën botërore.

Bankat qendrore të Britanisë, Eurozonës, Australisë dhe Zelandës së Re pritet të ulin normat e interesave për t‘u bërë ballë problemeve financiare. Edhe politika e këtyre vendeve pritet të aktivizohet fort në këtë kuadër.

Të dhënat e publikuara nga Eurostat së fundmi treguan se inflacioni ra në shifrën 2.1 gjatë muajit nëntor nga 3.2 për qind që ishte një muaj më parë, duke i rritur edhe më tej mundësitë për ulje të mëtejshme të normave të interesit. "Shqetësimet për të ardhmen ekonomike dhe për zërat që flasin për pasiguri në tregun e punës ndoshta kanë bërë që njerëzit të kursejnë më shumë", tha Nik Kunis, kryeekonomisti për Evropën në bankën "Fortis". "Kjo bën që të mendohet që në vija të përgjithshme do të kemi përkeqësim të situatës ekonomike në Evropë në tremujorin e katërt të vitit ku jemi, në të kundërt të gjendjes pozitive që ishte shënuar në të mëparshmin". Ndërkohë që niveli i shitjeve me pakicë gjatë muajit shtator ishte i njëjtë me ato të regjistruara gjatë gushtit, por me një rënie prej 1.4 për qind krahasuar me atë të një viti më parë.

Sondazhi me të dhënat për të cilat po flasim u krye nga grupi studimor "Markit". Indeksi i shëndetit të sektorit të manifakturimit i cili parashikohej të ishte 39.9 pikë në nëntor, rezultoi më i ulët pas sondazhit, në nivelin 39.7 pikë. Çdo nivel nën 40 pikët e këtij treguesi flet për kontraktim ekonomik. Për numrin nëntor ky indeks ishte gjithsesi i ulët, 43.6 pikë, por jo në këto nivele.

Indeksi i aktivitetit të sektorit të shërbimeve paralele të "Fortis" gjithashtu ra nën parashikimet për muajin nëntor. Mendohej që treguesi të ishte të paktën 42.5 pikë, ndërkohë që jemi përpara një rezultati prej 43.2 pikësh.

"Janë sondazhe që na ka sjellë para syve rezultate të tmerrshme në të gjithë zërat, që tregon se sektori i shërbimeve të Eurozonës është goditur më shumë se kurrë nga kriza aktuale botërore, ka ulur jashtëzakonisht shumë shpenzimet nga ana e konsumatorit dhe ka dobësuar aktivitetin në tregjet kyçe të eksporteve", tha ekonomisti i institutit "IHS Global Insight" Hauard Arçer.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›