E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia e fundit e Gazidedes për zhdukjen e Remzi Hoxhës

Prokuroria ka lexuar dje në Gjykatën e
Krimeve të Rënda dëshminë e ishkreut
të ndjerë të SHIK-ut, Bashkim
Gazidede, në lidhje me rrëmbimin e Remzi
Hoxhës, Ziso Kristopulit dhe Avdyl Loshajt.
Gazidede ka mbajtur një qëndrim mohues
të aktakuzës, por ka sqaruar të gjithë dinamikën
e punës së Shërbimit Inteligjent
në atë kohë. Sipas tij, SHIK-u nuk ka pasur
kompetencë për të shoqëruar persona,
vetëm në raste kur merrej pëlqimi i tyre. Ata
më pas shoqëroheshin në një vend të fshehtë
dhe iu merreshin deklarimet. Për rrëmbimin
e shtetasit Rezmi Hoxha, Gazidede
kishte shpjeguar para dy Prokurorive të Krimeve
të Rënda se kishte marrë dy kërkesa
për informacione: një nga ana e Pjetër Arbnorit
dhe një kërkesë e dytë që i kishte ardhur
nga prokuroria, e cila kërkonte në atë kohë
verifikimin e një targe.
(Gazidede i pyetur në prani të dy
prokurorëve të Prokurorisë së
Krimeve të Rënda më 3 tetor 2006)
Kush ka qenë baza ligjore dhe
mënyra e funksionimit të Shërbimit
Informativ Kombëtar në periudhën
që ju keni qenë drejtues i saj?
Shërbimi ka funksionuar në bazë të një
ligji të miratuar në Parlament në vitin 1991,
si dhe mbi bazën e akteve ligjore të Këshillit
të Ministrave, apo kryetarit të shërbimit,
dokumente këto që janë të depozituara në
arkivin e shërbimit. Detyrat e mia kanë qenë
të përcaktuara me vendim të Këshillit të
Ministrave, kurse detyrat e çdo drejtori drejtorie
dhe çdo dege kanë qenë të përcaktuara
me këto vendime, apo akte nënligjore të
vetë SHIK-ut. Për sa i përket organizimit në
drejtori, struktura ka qenë e miratuar me
VKM. Çdo rreth ka pasur degë dhe në çdo
prefekturë krijuam drejtori. Por këto i krijuam
vonë dhe nuk e mbaj mend kohën e
saktë. Numrin e drejtorive se mbaj mend
tamam, por duhet të kenë qenë tetë. Në
fillim ka qenë një kryetar dhe dy nënkryetarë,
më pas një nënkryetar. Kurse drejtorët
e drejtorive emëroheshin nga unë dhe miratoheshin
nga Kryeministri. Emërimet në
bazë për kryetar të zonës dhe të rretheve
bëheshin nga unë dhe shërbenin si koordinues
dhe kontrollues të degëve.
Objekt i punës së SHIK-ut në atë
periudhë dhe prioritetet e saj?
Objekti i punës së SHIK-ut ka qenë
mbrojtja e dispozitave kryesore kushtetuese.
Unë drejtoja të gjithë veprimtarinë
e shërbimit dhe kisha për detyrë ta kontrolloja
atë. Kisha kompetencë të emëroja dhe
shkarkoja drejtorët e më poshtë. Më vonë
kisha të drejtë vetëm t‘i propozoja për emërim
dhe shkarkim tek Kryeministri. Punonjësit
e tjerë i emëroja dhe i shkarkoja unë. Detyra
ime ishte të kontrolloja punën e punonjësve
të SHIK-ut, marrjen e masave disiplinore
deri në largim nga puna, ose ndjekje penale
për shkelje të rënda.
Kush ka qenë mënyra e dokumentimit
të punës në SHIK?
Mënyrat e ruajtjes së dokumenteve kanë
qenë shumë të përcaktuara. Çdo dokument
ishte i dubluar, pra çdo dokument që krijohej
në bazë, dërgohej në qendër. Të gjitha
klasifikoheshin sipas një rregulli të mirëpërcaktuar.
Cilat kanë qenë mënyrat e
ndarjes së detyrave në qendër dhe
bazë?
Qendra kishte për detyrë të kontrollonte
bazën, sipas drejtorive të përcaktuara. Ato
luanin rolin koordinues nëpërmjet qendrës.
Por kishte raste që degët koordinonin edhe
me njëra-tjetrën në mënyrë të drejtpërdrejtë,
sidomos në raste të ngutshme. Praktika
ka qenë që materialet vinin sipas drejtorive
përkatëse dhe nëse ata e shikonin të
arsyeshme që duhet të merrnin mendimin
tim i sillnin materialet tek unë, vija shënimin
përkatës se si duhej të veprohej. Në rast se
duhej të bashkëpunonim me një organ tjetër
si Ministria e Brendshme, materialet kalonin
nëpërmjet meje. Drejtoritë kishin
rregulla të qarta se si duhet të vepronin. Ato kishin
më tepër koordinim në punën e degëve
dhe jo në investigim, pasi kjo ishte detyrë e
bazës. Çdo informacion që vinte dërgohej
në bazë dhe në ndonjë rast dhe mund të
jepeshin porosi se si duhet të veprohej dhe
kishte raste që bëhej kontroll mbi mënyrën
e veprimit. Kjo bëhej sipas vlerësimit të
rëndësisë së çështjes. Dua të sqaroj se
detyrat ishin të përcaktuara dhe të shkruara
për çdo rast. Koordinimit midis bazës,
drejtorisë dhe qendrës bëhej mbi bazën e
rëndësisë së dosjes dhe personat që merreshin
me të.
Në rastet e marrjes së informacionit
për veprimtaritë kriminale në
dëm të interesit të Republikës së
Shqipërisë si veprohej?
Të gjitha këto janë të shkruara për
mënyrën se si veprohej. Nëse kishte informacion
hapej një fashikull verifikimi dhe në
varësi të ecjes së procesit, ajo kthehej në
dosje gjurmimi dhe nëse kishte fakte, koordinohej
puna edhe me organe të tjera.
Si ka qenë organizuar puna në
Tiranë në vitin 1995?
Tirana, për shkak të rëndësisë dhe
madhësisë kishte drejtori shërbimi dhe
drejtorët kishin kompetenca më shumë se
një kryetar dege në rrethet e tjera. Çdo drejtori
në bazë kishte të njëjtin organizim si çdo
drejtori në qendër. Zakonisht kishin degën
e spiunazhit, kundërzbulimit, drejtorinë e
antiterrorit dhe drejtorinë ekonomike. Pra
ishin si një njësi autonome që kishin
mundësinë e organizimit të punës.
Cili ka qenë drejtuesi i drejtorisë
së Tiranës në vitin 1995?
Në vitin ‘95 nuk jam i sigurt, por drejtor
duhet të ketë qenë Arben Sefgjini dhe para
tij ka qenë Mehmet Hoxholli.
Brenda drejtorisë së Tiranës kishte
ndarje në zona?
Kishte ndarje në 3 ose katër zona, afërsisht
si ndarja e komisariateve. Tirana ka
pasur organizim të veçantë dhe e ka pasur
para se të krijoheshin edhe drejtoritë në
zona. Emrat e kryetarëve të zonave për Tiranën
nuk më kujtohen saktësisht, por mbaj
mend që ai i fshatit ka qenë Stavri Xhirazi.
Kurse të tjerët s‘më kujtohen.
Në rast të informacionit të një veprimtarie
kriminale, a keni pasur
kompetencë për të shoqëruar persona?
Ne nuk kemi pasur kompetenca për të
shoqëruar persona, por me miratimin e personit
mund të bisedonim në një ambient të
caktuar.
Si veprohej në rastet e një informacioni
për spiunazh?
Në rastet e një spiunazhi praktika është
që ta gjurmosh dhe ta ndjekësh për të kuptuar
veprimtarinë e tij dhe të marrësh vesh
se çfarë ai ka ndërmend të bëjë për të marrë
masa për parandalimin e veprimtarisë së tij
të dëmshme. Veprimtaria e personit ndiqej
duke hapur fashikuj gjurmimi dhe kur mendonin
se kishin grumbulluar material të
mjaftueshëm njoftonin prokurorinë dhe ju
jap si shembull kapjen e spiunëve grekë në
Gjirokastër e Sarandë, për të cilën u veprua
në këtë mënyrë. U njoftua Zef Brozi, si kryetar
i Gjykatës së Kasacionit, që thotë se nuk
kam firmosur ndonjëherë, firma e Fatos
Dervishit si zëvendësprokuror i përgjithshëm
dhe filluam grumbullimin e provave,
si kontroll banese etj. Veprimet procedurale
kryheshin nga policia me orientim të punonjësve
të shërbimit, ku ndodhej prova dhe
këtu ndërpritej puna jonë. Ne ndihmonim
prokurorinë me të dhëna kur na i kërkonte.
A keni pasur të drejtë për persona
që shkelnin të drejtat e njeriut
për interesa kombëtare me miratim
të Prokurorit të Përgjithshëm?
Në asnjë rast ne nuk e kishim këtë të
drejtë.
Përveç godinave të zyrave të
SHIK-ut a ka pasur ambiente të fshehta?
Këto janë normale dhe ne kemi pasur
ambiente të tilla për të kryer takime të fshehta,
apo shërbime pushimi. Këto i administronte
dega në rrethe dhe kishte personel
përkatës, si roje, apo ndonjë person tjetër.
Këto janë të përcaktuara në organikë dhe
janë përcaktuar personat që janë paguar.
Nuk jam i sigurt nëse ky personel ka qenë i
përkohshëm, apo i përhershëm. Por besoj
se ka pasur të përhershëm rojet.
Si dokumentohej bashkëbisedimi
në këto ambiente?
Nuk e di si dokumentohej bashkëbisedimi.
Pasi nuk jam marrë me veprimtari në
bazë, por mënyrat mund të ketë qenë të
ndryshme, si filmimi, regjistrimi i bisedës,
apo të tjera.
A keni dijeni për shoqërimin e një
personi kosovar, Avdyl Loshaj, në
drejtorinë e Tiranës në vitin 1995?
Nuk e kam dëgjuar asnjëherë emrin dhe
sigurisht që nuk e njoh.
A keni dijeni për shoqërimin e
Ziso Kristopulit nga Ksamili i Sarandës
në Vain të Lezhës nga punonjës
të SHIK-ut?
Nuk e kam dëgjuar asnjëherë këtë person.
E kam dëgjuar për herë të parë kur fliste
në një kanal televiziv.
A keni dijeni për marrjen e një
shtetasi shqiptaro-maqedonas
Remzi Hoxha në vitin 1995 nga
punonjësit e SHIK-ut?
Nuk kam dijeni për këtë shoqërim, por e
kam marrë vesh nga gazetat. Për këtë u kam
kërkuar degëve informacion dhe kam marrë
përgjigje se nuk kanë pasur dijeni. Informacionin
mund ta kem kërkuar me shkresa,
por nuk jam shumë i sigurt. Për këtë problem
kemi hapur një fashikull dhe kemi futur
informacionet përkatëse. Nga drejtoritë
më ka ardhur njoftime se këtë person nuk e
kanë pasur objekt pune. Për këtë rast më ka
kërkuar informacion edhe Pjetër Arbnori si
kryetar i Parlamentit, vitin se mbaj mend
dhe i ktheva informacionin zyrtar që kisha.
Më ka kërkuar informacion edhe Prokuroria
e Përgjithshme për një targë mjeti dhe u
kam kthyer përgjigje. Çdo mjet kishte targat
e veta dhe për këtë është marrë informacion
me shkresë dhe më pas i është kthyer
përgjigje prokurorisë. Për këtë është interesuar
dhe Ali Spahija. Institucione të tjera
nuk mbaj mend të jenë interesuar. Më kanë
ardhur edhe familjarët e Remzi Hoxhës, por
nuk i kam pritur, sepse më kanë akuzuar
publikisht mua dhe nuk kishin se çfarë t‘u
kërkoja.
Ku i merrnit targat e mjeteve që
përdoreshin nga SHIK-u?
Targat merreshin në përputhje me ligjin
në fuqi dhe i merrnim nga Ministria e
Brendshme dhe nga degët e policisë në rrethe
dhe të gjitha këto kanë qenë të regjistruara
dhe nuk na lejohej me ligj që të përdornim
targa të personave privatë, apo targa
të falsifikuara.
Çfarë kontaktesh keni pasur me
Prokurorinë e Tiranës për këtë çështje?
Nuk mbaj mend për kontakte, përveç
informacionit që më ka kërkuar Prokuroria
e Përgjithshme për targat e dy mjeteve që
unë kam kthyer përgjigje.
Si ka qenë grafika e marrjes së informacionit
nga baza?
Nuk ka pasur një rregull të përcaktuar.
Por çdo fund muaji bëhej mbledhje dhe diskutoheshin
çështje konkrete që kishte çdo
bazë.
A keni njohur ILir Kumbaron,
Budion Meçen dhe Avni Koldashin?
Ilir Kumbaron e kam njohur kur më ka
kërkuar lirim nga puna në vitin 1996. Nuk e
di se çfarë pune ka bërë, por më ka thënë se
do ikte në Angli dhe unë e kam liruar. Avniun
e kam takuar në zyrë kur më ka kërkuar
punë. I kam kërkuar dokumentet dhe e kam
emëruar, por se mbaj mend mirë ku e emërova.
Budion Meçen nuk e kam njohur më
parë, por e kam njohur kur më erdhi për vizitë
në shtëpi.
Avni Koldashi është arrestuar në
vitin 2003 dhe ka deklaruar se ka
marrë urdhra për shoqërimin e
Remzi Hoxhës e Ziso Kristopullit
nga Saranda për në Vain të Lezhës.
Udhëzimet i ka marrë nga Arben
Sefgjini dhe Ilir Kumbaro. Çfarë keni
për të thënë në lidhje me këtë?
Për këtë s‘kam për të thënë asnjë koment.
Nëse këtyre personave u provohet
ndonjë gjë, le të vihen para ligjit. Ai ka qenë
bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit para se
të punësohej në SHIK dhe dyshoj se mund
t‘ia kenë përdorur këtë dobësi për të marrë
deklarime që mund të mos jenë të vërteta.
Dua të shtoj se Fatos Klosi ka derdhur një
mori akuzash në adresën time.

Halit Shamata, "harron" gjithçka

Ish-ministri i Brendshëm, Halit
Shamata, u është përgjigjur të
gjitha pyetjeve në procesin gjyqësor
të rrëmbimit të biznesmenit Remzi
Hoxha, se nuk mbante mend asgjë.
Prokuroria disponon dy shkresa, një
nga Presidenti i asaj kohe, Berisha, i
cili kërkonte informacion nëse Remzi
Hoxha ndodhej në ndonjë prej
paraburgimeve në Shqipëri dhe një
kërkesë e Prokurorisë së Përgjithshme
për arrestimin e një polici, i cili
akuzohej për rrëmbimin e Remzi
Hoxhës. Në të dyja rastet Shamata, i
cili nuk kishte reaguar asokohe zyrtarisht,
është përgjigjur se nuk i kujtohej
arsyeja për mospërgjigjen.

Agim Shehu "gënjen": Jam jashtë Shqipërisë

Agim Shehu, ish-drejtori i përgjith
shëm i Policisë së Shtetit, ka
"gënjyer" dje Gjykatën e Krimeve të
Rënda për të dëshmuar për rrëmbimin
e Remzi Hoxhës. Në gjykatë
është paraqitur fletëthirrja bashkangjitur
me një shënim të familjarëve
të tij: Agim Shehu ndodhet jashtë
Shqipërisë. Por menjëherë ka reaguar
prokurori i çështjes, sipas të cilit, nga
verifikimet ka rezultuar se z. Shehu
ndodhet në Tiranë.
Ndërkohë, dje ka munguar pa arsye
edhe Fatos Klosi. Në seancë u
dëgjua edhe dëshmitari Bexhet Haxhiu,
i cili nga viti 1993 deri në ‘98 ka
qenë sekretar i grupit parlamentar të
PD-së. Ai ka thënë se në ‘95-ën dy
vëllezërit e Remzi Hoxhës kanë
kërkuar takim për të sqaruar ngjarjen.
Shpëtim Pasholli është dëshmitari
tjetër për të cilin prokurori bëri
kundërshtimin e dëshmisë. Sipas
prokurorit, dëshmitari më datën 10
shtator të vitit 2003 është pyetur nga
oficeri Kastriot Skënderaj dhe prokurori
Përparim Hasa. Në deklarimet e
tij ai ka bërë me dije se me urdhër të
shefit të tij, Avni Koldashi, kishin
shkuar te pazari i ri, te një firmë. "Avniu
më tha ta mbaja ndezur makinën dhe
dyert hapur. Aty morën me forcë një
person dhe pasi e futën me dhunë në
makinë Avniu më tha ik drejt Kazmës".
Ky është deklarimi i 5 viteve më parë.
Halit Shamata nuk mbante mend asgjë.
Dje në proces dëshmuan edhe disa
persona të tjerë si Sefer Kambo. Në
deklarimin e tij ai bëri me dije se gjatë
vitit 2005 ndihmonte bash-këshorten e
tij që punonte në Policinë e Tiranës.
Një ditë kishte dëgjuar një zhurmë, kur
kishte parë se një person po e merrnin.
Në deklarimin e tij ai bëri me dije
se kishte dëgjuar policët që ulërinin
duke ia bërë "ra, ra, ra".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›