E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni veror, leku forcohet 3,2 për qind nga prurjet e emigrantëve



Monedha vendase leku edhe gjatë vitit 2008 ka qëndruar superiore ndaj valutave kryesore euros dhe dollarit, duke u bërë shkak për frenimin e çmimeve që po vijnë nga tregjet ndërkombëtare. Banka e Shqipërisë në analizën e saj për kursin e këmbimit vëren së gjatë muajve të parë të vitit 2008, ashtu si dhe në tremujorin e fundit të vitit 2007, ka vazhduar tendenca mbiçmuese e lekut kundrejt shportës së valutave, por me ritme disi më të ulëta. Në terma nominale, gjatë tremujorit të parë leku është mbiçmuar kundrejt monedhave kryesore të huaja, Euro-s dhe USD-së, mesatarisht me 3,2 pikë përqindjeje, ndjeshëm më lart se 1,1 për qind një vit më parë. Paralelisht, gjatë tremujorit, kursi real efektiv i këmbimit paraqet një rritje vjetore mesatarisht prej 4,5 pikë përqindjeje, ndërsa në të njëjtën periudhë, një vit më parë, ky tregues ka rezultuar 0,1 për qind. Sjellja mbiçmuese e lekut si në terma reale ashtu edhe nominale, reflekton qëndrueshmërinë makroekonomike në vend si dhe nivelet e krahasueshme të inflacionit me partnerët kryesorë, bën të ditur BSH-ja. Krahasuar me një vit më parë, pozitat e lekut janë forcuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj dollarit amerikan mesatarisht 21 për qind, duke arritur në 78.29 lekë për USD në fund të periudhës. Kursi mesatar i lekut ndaj euros për tremujorin e parë të vitit ishte 123.62 lek/euro, duke u mbiçmuar me 0,49 për qind në terma vjetorë. BSH-ë vëren se ecuria e kursit të këmbimit në tremujorin e parë të vitit 2008 paraqet një luhatshmëri më të lartë se vitin e kaluar.

Hiqen 56% e lejeve dhe licencave që lëshohen nga qeveria dhe pushteti lokal

Me pretekstin e luftës ndaj korrupsionit dhe burokracive, kryeministri Berisha u heq të drejtën ministrive dhe pushtetit lokal për dhënien e një grupi të madh lejesh dhe licencash. Kjo gjë është deklaruar dje gjatë takimit të Task-Forcës për Reformën Rregullatore. Kryeministri Berisha tha se një problem tejet thelbësor, është ai i heqjes së lejeve dhe licencave, duke i cilësuar ato si dokumentacione të korrupsionit dhe burokracisë. Më tej Kryeministri Berisha u shpreh se “çdo licencë e hequr, është një hap drejt lirisë, drejt shfrytëzimit të potencialeve të saj, si dhe një masë shumë e rëndësishme për luftën ndaj korrupsionit”. Gjatë mbledhjes së fundit të Task- Forcë për Reformën Rregullatore u hartua një listë e gjatë me lejet dhe licencat për t’u hequr. Në mbledhjen e djeshme u shqyrtuan të gjitha vendimet dhe bazat ligjore që do të shërbejnë për heqjen e këtyre lejeve dhe licencave. Në kuadër të këtij procesi u theksua se mbi 56 për qind e lejeve dhe licencave të qeverisë dhe pushtetit lokal së shpejti nuk do të jenë më, duke pasur si qëllim shmangien dhe luftën ndaj rrjetës së korrupsionit dhe burokracisë.

Kryeministri Berisha takon Këshillin Drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë

Ligjet e fundit që kanë kaluar për miratim në Parlament, si ligji “Për Shoqëritë Tregtare”, ai “Për Procedurat Tatimore” apo ligji “Për Falimentimin”, kanë qenë objekt diskutimesh dje mes kryeministrit Sali Berisha dhe Këshillit Drejtues të Dhomës Amerikane të Tregtisë. Presidenti i kësaj Dhome, Philip Bay, ka falënderuar kryeministrin për pranimin e ftesës dhe për mundësinë e shkëmbimit të mendimeve mbi situatën ekonomike aktuale në vend. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë e ka njohur kryeministrin me punën që bën dhoma në mbrojtje të interesave të biznesit dhe zhvillimin e klimës së biznesit në vend. Në këtë kuadër janë vlerësuar mjaft ndryshimet e fundit legjislative të ndërmarra nga qeveria që nga shkurtimi i kohës dhe kostos së licencimit, taksa e sheshtë etj. Gjatë takimit u fol për format e hapura të dialogut që biznesi kërkon të ketë me qeverinë si dhe angazhimin maksimal të biznesit në diskutime kur bëhet fjalë për hartimin e ligjeve që prekin drejt për drejt aktivitetin e biznesit, në mënyrë që të evitohen problemet e mundshme gjatë zbatimit të ligjit.

13 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›