Te pandehurit akuzojne Adriatik Colin: “Ka kryer më shumë vepra penale se ne”
Laureta Rryçi
Të pandehurit e bandës së Durrësit pohuan dje se “i penduari” i drejtësisë ishte personi që kishte kryer më shumë vepra penale. Ndërkohë që pas kësaj deklarate, Adriatik Coli është kundërpërgjigjur duke thënë se kur të fliste ai, jo vetëm këta që janë të arrestuar, por kafazit do t’i shtoheshin dhe shumë të tjerë, që dje ishin prezent në sallën e gjyqit. Seanca e radhës për bandën e Durrësit vijoi me deklarata dhe kundërakuza midis palëve në proces. Fillimisht Indrit Dokle vendosi të largohej nga salla duke mos pranuar të mbrohej me një avokat. Veprimi i tij nuk e pengoi kolegjin penal që të mos vazhdonte më tej procesin gjyqësor. Pas kësaj debatet kanë nisur mes avokatëve dhe përfaqësuesve. Avokati Riza Icka ka akuzuar prokurorinë se kishte kryer hetime për Klodian Saliun, ndërkohë që personi në fjalë ka vdekur prej vitesh. Mbrojtësit e tjerë deklaruan se Coli duhet të trajtohej njësoj si të pandehurit e tjerë, pasi ata nuk e kanë parë asnjëherë marrëveshjen që ka nënshkruar ai me prokurorinë për të bashkëpunuar.
Seanca
Pas disa seancash shtyrjeje, procesi në ngarkim të 16 të pandehurve të akuzuar si anëtarë të bandës së Durrësit, ka vazhduar ditën e sotme me kërkesat paraprake të avokatëve. Avokati i të pandehurit Lulzim Berisha, i cilësuar si një nga krerët e grupit, ka paraqitur para gjykatës kërkesën për thirrjen e 20 dëshmitarëve. Ndërsa i penduari i bandës, Adriatik Coli, pohoi se do të japë sërish deklarime rreth akuzave të prokurorisë. Kërkesa për prova kanë paraqitur edhe avokatët e tjerë të dosjes, ndërkohë që trupi gjykues do të shprehet javën tjetër në lidhje me pranimin apo jo të kërkesave të mbrojtjes.
Të akuzuarit e kësaj dosjeje janë: Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullari, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi. Sipas prokurorisë, nga viti 1998 deri në vitin 2002 Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Endrit Dokle, Bujar Gashi, si dhe Klodian Saliu, Ilir Xhunga, Arben Paja, që janë vrarë kohë më parë, kanë qenë anëtarë të një organizate të vetme kriminale. Më pas mes drejtuesve të kësaj organizate ka pasur konflikte si pasojë e mosmarrëveshjeve në lidhje me kontrollin e trafikut të drogës dhe kontrollin e pasurive të vëna nga këto trafiqe duke çuar në ndarjen e tyre.
Vrasjet
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka ngritur akuzën për anëtarët e bandës së Durrësit për një sërë vrasjesh. Prokuroria për Krime të Rënda më datë 03.04.2005 ka regjistruar procedimin penal nr.35 për veprat penale të “vrasjes me paramendim në bashkëpunim” në ngarkim të shtetasit Klodjan Saliu, “mbajtjes pa leje të armëve luftarake me pasoja të rënda” dhe grupit të strukturuar kriminal të parashikuar nga nenet 78 – 25, 278/4 dhe 333/a të K. Penal. Prokuroria për Krime të Rënda Tiranë, më datë 09.03.2006, pasi ka rifilluar hetimet dhe ka regjistruar procedimin penal nr.34 në lidhje me ngjarjen e datës 17.10.1998, ku ka mbetur i vrarë shtetasi Dritan Sallaku dhe janë plagosur Ilir Nela dhe Agim Rexhepi dhe ky procedim penal i është bashkuar procedimit penal nr. 35 të vitit 2005. Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës ka regjistruar procedimin penal nr. 506 në lidhje me ngjarjen e datës 29.10.1998 në lidhje me vrasjen e shtetasve Viron Curri, Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri si dhe procedimin penal nr. 274 në lidhje me ngjarjen e datës 10.07.2000 në lidhje me vrasjen e shtetasit Dritan Disha. Zinxhiri i vrasjeve për të cilat akuzohet kjo bandë shkon edhe më tej.
Të pandehurit
Lulzim Berisha
Plaurent Dervishaj
Indrit Taullai
Endrit Dokle
Kujtim Buna
Altin Olloni
Elvin Hoxhosmani
Alban Neli
Selman Heti
Spartak Kalthi
Altin Nikolla
Kristian Begu
Bujar Gashi
Dritan Coli
Ahmet Ajetis
Osman Karpuzi
Sardian Sulejmani
13 Qershor 2008