Mbrojtja e fëmijëve, fillon hartimi i Kodit të të Drejtave
Të drejtat e fëmijëve shqiptarë do të shkruhen në një kod të posaçëm, që do t‘i mbrojë ata sa herë të kenë nevojë dhe autoritetet nuk mund të shfajësohen më me idenë se nuk u takon atyre me ligj të merren me këtë çështje. Kjo ka qenë ideja e prezantuar dje në një takim mes ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka, dhe përfaqësuesve të UNICEF-it në Shqipëri. "Edhe pse legjislacioni në fushën e mbrojtjes së fëmijëve është i mirë, vlerësojmë se ka ardhur koha për hartimin e një ligji integral, që jo vetëm do të garantojë të drejtat e ligjshme të fëmijëve, por do të përcaktojë saktë edhe institucionet përgjegjëse që ngarkohen t‘i garantojnë këto të drejta", u shpreh ministri Barka. Sipas tij, është shqetësues fakti që ende sot nuk arrihet të gjendet një zgjidhje për çështje të tilla si heqja nga rruga dhe marrja në mbrojtje e fëmijëve që punojnë, veçanërisht atyre që lypin, dhe me të cilët përballemi çdo ditë edhe në qendër të kryeqytetit, pasi të gjitha institucionet "justifikohen" me faktin që nuk janë të ngarkuara direkt me këtë detyrim nga ligji, duke filluar nga strukturat e pushtetit vendor, të Policisë së Shtetit, e duke mbërritur te strukturat qendrore. Në këtë takim është diskutuar gjithashtu edhe mbi vakumet ligjore të deritanishme në mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Vetë ministri i Punës, Barka, vuri në dukje se "ende në legjislacionin aktual parashikohet që fëmijët nën 14 vjeç mund të ngrenë padi vetëm me lejen dhe nën kujdestarinë e prindërve, por nuk ka asnjë parashikim për fëmijët që janë abuzuar dhe keqtrajtuar nga vetë prindërit". Një situatë e tillë juridike ndodh në një kohë kur rastet e dhunës së prindërve ndaj fëmijëve janë bërë thuajse të zakonshme në dyert e gjykatave shqiptare. Hartimi, miratimi dhe zbatimi i një Kodi për të Drejtat e Fëmijëve, i cili do të jetë jo vetëm në përputhje me të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare në fushën e të drejtave, në përgjithësi, dhe ato të fëmijëve, në veçanti, do ta bënte më eficente punën e institucioneve në garantimin e këtyre të drejtave. Ky ka qenë konkluzioni i takimit mes përfaqësuesve të Ministrisë së Çështjeve Sociale dhe UNICEF-it. Ministri Barka dhe shefja e UNICEF-it në Tiranë, Carry Auer, ranë dakord që menjëherë të fillojë puna për caktimin e grupit të ekspertëve që do të përcaktojnë fushat dhe axhendën e punës për hartimin e këtij dokumenti të rëndësishëm. Përfaqësuesja e UNICEF-it theksoi se, "hartimi i një Kodi për Fëmijët në Shqipëri është edhe një nga kërkesat kryesore të shprehura nga Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në OKB dhe nisma e Ministrisë së Punës për rishikimin e legjislacionit në fushën e të drejtave të fëmijëve do të ketë plotësisht mbështetjen financiare dhe në ekspertizë të UNICEF".