Bie në Apel kërkesa e Aldo Bares
TIRANE – Aldo Bare, i akuzuari si kreu i “bandës së Lushnjës” u “gjunjëzua” edhe njëherë dje përpara drejtësisë në tentativat e tij për t’u liruar nga qelia. Gjykatë e Apelit për Krimet e Rënda rrëzoi kërkesën e Bares, për rivlerësimin e masës “arrest me burg”, vendosur për të në mungesë në vitin 2006. Në seancën e djeshme, Bare, i njohur edhe si Alfred Shkurti, nuk ishte i pranishëm në seancë dhe interesat e tij përfaqësoheshin nga mbrojtësi i tij ligjor. Bëhet e ditur se avokati i Bares pretendoi para gjykatës rivlerësim të masës së sigurisë së klientit të tij, si edhe parregullsi ligjore në seancën për vlerësimin e kushteve të zbatimit të masës së sigurisë, pas ekstradimit të Bares në Shqipëri. Sipas avokatit, vlerësimi i masës së sigurisë pas ekstradimit të Bares duhet të bëhej nga pesëshja që po shqyrton dosjen e tij tek Krimet e Rënda dhe jo nga një gjyqtar i vetëm. Pasi u njoh me pretendimet e palëve gjykata rrëzoi kërkesën e avokatit duke lënë në këtë mënyrë të pandehurin Aldo Bare në “arrest me burg”. Sipas avokatit, Aldo Bares i kanë përfunduar afatet ligjore të paraburgimit. ar.ba