E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush të drejtojë, mjeku apo ekonomisti?

Shefqet DELIALLISI 

Zhvillimi i teorisë së kapitalit human dhe aplikimi i saj në fushën e edukimit dhe shëndetit përbën një nga përparimet e mëdha të shkencës ekonomike. Sipas saj, shëndeti është një formë kapitali dhe konsiderohet pasuri. Sot flitet për industrinë e shërbimit shëndetësor që prodhon shëndet. Termat ekonomikë si: spital ndërmarrje, kosto-efektivitet, GDP, menaxhimi i sëmundjeve, manaxher, klient në vend të pacient, janë bërë normale për sistemin shëndetësor. Normale konsiderohen dhe reklamat në media për mjekët, spitalet, medikamentet, procedurat shëndetësore, etj. Shumë nga gjeneratat e mjekëve, të trajnuar për një praktikë tradicionale, kanë ndërtuar për profesionin e tyre një histori legjendare, sentimentale, romantike, nga e cila e kanë të vështirë të ndahen. Ndërhyrjen e ekonomisë në mjekësi ata e shohin me skepticizëm. Sipas tyre, shkenca ekonomike nuk konsideron ndjenjat dhe humanizmin që karakterizojnë praktikimin e mjekësisë. 
Por kohët kanë ndryshuar. Madje, që në vitin 1967 Gordon McLean, ekspert lider në kujdesin shëndetësor Britanik shkruante: “Një nga kërkesat politike madhore të shumicës së shoqërive perëndimore sot, është shmangia dhe vlerësimi në mënyrë kritike, i dogmave dhe klisheve me të cilat është e mbushur politikëbërja për kujdesin mjekësor”
Kush duhet ta drejtojë sistemin shëndetësor?
Sipas ekonomistit John Maurice Clark: “Ka dy botë. Bota e investigimit të ftohtë të shkakut dhe pasojës, dhe bota e dëshirave, idealeve, gjykimit të vlerave. Me të parën kanë të bëjnë shkencat e natyrës, me të dytën etika. E veçanta e shkencës ekonomike është se është thirrur për të shërbyer si një urë që lidh këto dy brigje”. Në fakt, ekonomia shëndetësore si shkencë është relativisht e re. Mjafton të përmendet fakti se konferenca e parë ndërkombëtare mbi këtë subjekt është mbajtur në vitin 1973. Edhe në vendet më të zhvilluara, numri i ekonomistëve shëndetësorë është i kufizuar. Në SHBA, ndonëse për shëndetin shpenzohet një përqindje shumë më e madhe e GDP krahasuar me bujqësinë, ekonomistë agrarë ka shumë më tepër.  Por, rritja marramendëse, e pandalshme, e shpenzimeve për kujdesin shëndetësor, dekadat e fundit është bërë shkak i një progresi të dukshëm në fushë e ekonomisë shëndetësore. Ekonomistët shëndetësorë më të shquar që ka bota sot vinë nga tre drejtime. Ekonomistë nga industritë e shërbimeve, të trajnuar si ekspertë në mjekësi, ekonomistë të përgatitur në mënyrë të mirëfilltë për kujdes shëndetësor dhe mjekë të trajnuar si ekspertë në ekonomi.
Nga të gjithë pranohet që mjekët dhe ekonomistët duhet të ndihmojnë për ngritjen e urës që lidh shëndetësinë me ekonominë, pa të cilën funksionimi i sistemi shëndetësor është i pa mundur.
Dilema qëndron në faktin se kush do ta drejtojë sistemin, kush do të jetë i pari: mjeku apo ekonomisti? 
Në kushtet e sotme, menaxhimi i spitaleve, klinikave, dhe organizatave të tjera të kujdesit shëndetësor është bërë domosdoshmëri.  Rekomandimet nuk mungojnë. Nuk janë të reja, as të panjohura. Ato vazhdojnë të serviren pa ndërprerje. Fakti që kudo në botë nuk implementohen gjerësisht, tregon se problemi është i sistemit dhe jo thjeshtë pasojë e neglizhencës. Dihet se praktikisht është e pamundur që mjeku të marrë përgjegjësinë për financime e shpenzime të kapitaleve të rëndësishme. Dihet se është e pamundur që ai të bëjë biznes me planifikues, rregullues dhe rimbursues. Dihet se është e pamundur që të kordinojë gjithë interesat e mjekëve, infermiereve, laborantëve dhe specialistëve të tjerë.
Por, nga ana tjetër, a është e mundur të kuptohen problemet e kujdesit shëndetësor pa kuptuar mjekët? A është e mundur të bëhen ndryshime të rëndësishme në këtë fushë pa ndryshuar shprehitë e mjekëve?
Dr Paul Elwood, jo pa ironi, shkruan: “Spitalet nuk kanë pacientë; doktorët kanë pacientë, dhe spitalet kanë doktorë”. Ndërsa Fuchs, nga këndvështrimi i administratorit të spitalit: “Të drejtosh një spital është si të përpiqesh të drejtosh një automobil, timonin dhe shpejtësinë e të cilit e kontrollojnë pasagjerët (mjekët), ndërsa më e shumta që administratori (shoferi) mund të bëjë, është që në ndonjë rast, të shkelë frenat!!”
Roli dominues i mjekëve është veçanërisht i rëndësishëm, në “thembrën e Akilit” të sistemit, në koston e kujdesit shëndetësor. Janë ata që e kontrollojnë plotësisht këtë proces. Është vendimmarrja e tyre për medikamentet, ekzaminimet dhe hospitalizimet që përcaktojnë pjesën më të madhe të shpenzimeve të kujdesit shëndetësor. Sa më e mirë vendimmarrja e mjekëve, aq më e ulët kosto.
Pra kush duhet ta drejtojë sistemin, mjeku apo ekonomisti?
Sigurisht që në shumë raste, falë dijeve që zotërojnë, në sistemin ekzistues të fragmentuar të kujdesit shëndetësor, kërkesa për lidershipin e mjekëve do të vazhdojë të jetë e madhe. Pa dyshim, shumë mjekë do të vazhdojnë të kryejnë punën e tyre si teknikë shumë të specializuar për aspekte të veçanta të mjekësisë apo kirurgjisë. Shumë të tjerë, nuk do të përfshihen më drejtpërdrejt në mënyrën e administrimit të kujdesit shëndetësor, por të gjithë do të vazhdojnë të marrin përgjegjësinë për shëndetin e njerëzve që mbulojnë.
“Mjekët -nënvizon Synergist - si shkencëtarë tepër të specializuar, nuk janë të përgatitur të luftojnë me probleme që në radhë të parë janë sociale dhe ekonomike”. Pra, ndonëse autoriteti i mjekut si profesionist apo ekspert kërkohet dhe pranohet me kënaqësi nga pacientët dhe profesionistët e shëndetit, është kërkesë e kohës që ai të “hapë rrugë”. Dikush tjetër duhet të marrë rolin e lidershipit të sistemit. Në vend të tij ose bashkë me të. Më shumë se kurrë, sot mjeku duhet ta ndajnë fuqinë drejtuese me ekonomistin shëndetësor.
Çfarë ndodh tek ne?
Në kushtet kur mundësitë financiare janë të kufizuar, kur Instituti i Kujdesit Shëndetësor (ISKSH) ka marrë përsipër edhe financimin e spitaleve, kur pritet që në vitin 2010 çdo spital të ketë autonomi të plotë ekonomike dhe kur vetë drejtori të jetë përgjegjës për menaxhimin e fondeve, fakti se kush do të drejtojë bëhet tepër i rëndësishëm. Aq më tepër kur dihet se pjesa më e madhe e fondeve konsumohen në sistemin spitalor dhe duke mbajtur nën kontroll koston e spitaleve, më shumë fonde do të jenë të disponueshme për mjekësinë parandaluese, kujdesin parësor, kujdesin ambulator, kërkimet shkencore dhe nevoja të tjera të rëndësishme.
Që në fillim duhet theksuar: tek ne nuk ekzistojnë ekonomistë shëndetësorë profesionistë, në kuptimin e vërtetë të fjalës. Tek ne drejtojnë mjekë të pa trajnuar, në mënyrë të mirëfilltë në ekonomi, të mbështetur nga ekonomistë të zakonshëm, pa njohuritë e mjaftueshme në shëndetësi. Në një farë mënyre, së bashku ata përpiqen, sa mundin, të plotësojnë njëri-tjetrit.   Drejtimi i spitaleve nga ekonomistë të zakonshëm, apo menaxherë siç kanë qejf ata ta quajnë veten, do të ishte përsëritja e një eksperimenti të pasuksesshëm. Aq më tepër kur mund të abuzohet me qëllimin e mirë për të përmirësuar drejtimin e sistemit shëndetësor, duke e përdorur atë për nevoja dhe ekuilibra të çastit.
Në fakt, problemi i drejtimit të spitaleve nga ekonomistë shëndetësorë nuk është i ri. Të paktën është në diskutim që nga viti 1995. Sikur, që nga ajo kohë të kishim përgatitur të paktën 20 të tillë, në universitetet më të mira të fushës, qoftë dhe me bursë nga shteti, pse jo dhe ISKSH, përfitimi do të ishte i madh, dhe problemi do të ishte zgjidhur për spitalet kryesore të vendit. Sidoqoftë, asnjëherë nuk është vonë. 
Për sa kohë që ekonomistë shëndetësorë të mirëfilltë ende nuk kemi, drejtimi i spitaleve me dy bashkë-drejtorë (mjek –ekonomist) do të ishte zgjidhja më e mirë për momentin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›