E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, mallrat me traget drejt Italisë vetëm 2 herë në javë

 

VLORE - Shoqëria e transportit internacional zhvilloi dje një protestë në portin e Vlorës. Drejtuesit e mauneve bllokuan lëvizjen dhe përpunimin e mjeteve në port për dy orë rresht. Përfaqësues të shoqërisë së transportit u shprehën se kjo protestë u zhvillua pasi nga dita në ditë po iu shkaktohen dëme ekonomike, për shkak të mungesës së trageteve që transportojnë tonazhet e rënda. Sipas tyre, ata i kanë kërkuar Ministrisë së Transporteve që të mundësojë ardhjen çdo ditë të trageteve në portin e Vlorës, të cilat të mund të imbarkojnë edhe mjete transporti të rënda (maune). Por vetëm dy tragete vijnë në javë nga Italia të cilat marrin mjetet e tonazheve të rënda. Drejtuesit e mauneve u shprehen se janë të detyruar të rrinë në radhë me ditë të tëra në pikën e kalimit kufitar të portit derisa të vijë trageti, me qëllim për të zënë radhën. Kjo pasi në një traget mund të futen vetëm 10 maune. Jo rrallë herë kanë ndodhur konflikte ndërmjet shoferëve, me qëllim imbarkimin e tyre në traget. Nga mos ardhja e trageteve që transporton mjetet e transportit të lartë janë paralizuar shumë biznese në Vlorë, Fier, por edhe në rrethe të tjera të jugut. Gjithashtu, mungesa e eksportit të mallrave po lë pa punë disa fabrika si ajo e veshjeve, e këpucëve, si dhe konfeksione e mallra të tjera, të cilat eksportohen në shtete të ndryshme të Evropës, duke përdorur se vend tranzit Italinë. “Nëse Ministria e Transportit nuk do të marrë masa për shtimin e trageteve, që të bëjnë të mundur transportin e mjeteve të rënda, në ditët në vijim shoqëria jonë do të hidhet në grevë totale duke paralizuar punën në portin e Vlorës, si dhe duke bllokuar lëvizjen e trageteve me pasagjerë dhe mjete të tonazhit të vogël”, u shprehën përfaqësues të transportit internacional. Ata i kërkojnë ministrisë përkatëse të mundësojë ardhjen e trageteve që marrin edhe mjete të rënda, të paktën pesë herë në javë. Në të kundërt, mjaft firma që kanë kontrata eksporti do të pësojnë humbje të mëdha financiare.                  q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›