E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pallati 21-katësh, gati shembja

 

DURRES/ OERD ULQINI

Gjenden paratë për prishjen e 7 kateve pa leje në pallatin 21-katësh që ngrihet pranë portit të Durrësit. Vetëm pak ditë pas deklaratës së ministrit të Transporteve për rrezikun që u kanoset banorëve nga ndërtimi pa kriter, Këshilli Bashkiak vendos pro shembjes. Një fond prej 13 milionë lekësh, i cili do të jetë pjesë e buxhetit të Bashkisë së Durrësit, është miratuar mbrëmjen e djeshme me shumicë votash. Një mbledhje kjo e tejzgjatur që nisi me votimin e anëtarëve të rinj të KRRT-së së Durrësit, për të përfunduar me dyer të mbyllura në momentin e miratimit të fondit specifik. Ekspertët ndërtimorë patën dhënë këtë shifër si të nevojshme për të ndërhyrë në shembjen e ndërtimit pa leje, për ta përshtatur më tej godinën në 14 kate, të njëjtën lartësi për të cilën firma ndërtuese ka dhe lejen e zyrtarëve të Durrësit.
Kartonët e mazhorancës në Këshillin Bashkiak, të siguruar nga bashkëpunimi aktual PD-LSI, kanë sjellë dhe miratimin e fondit 13 milionësh. Pak minuta përpara fillimit të mbledhjes, pa praninë e mediave, inxhinieri i firmës “Enrezo” që ka ndërtuar pallatin, u dorëzoi këshilltarëve një dokument, në bazë të të cilit thuhej se pallati është plotësisht i sigurt dhe se është ndërtuar duke respektuar të gjitha kriteret e ndërtimit. Në këtë dosje thuhej se katet e shtuara janë objekt legalizimi. Megjithatë, pavarësisht këtij materiali, me shumicë votash u miratua fondi për shembjen e kateve shtesë. Mbledhja përfundoi në orët e vona të mbrëmjes, duke sjellë kështu dhe aprovimin e ministrit Olldashi. Pak ditë më parë ai pohoi se ky pallat shumëkatësh, që ndodhet pranë qendrës së qytetit të dytë më të madh në vend, ka hedhur “shtat” në mënyrë të paligjshme. Duke akuzuar kryebashkiakët socialistë, Olldashi pohoi se lejet ishin dhënë prej tyre dhe nuk kishin reaguar deri në përfundimin e godinës. Kryetari i qarkut të Durrësit, Seit Kërtusha, deklaroi në fundjavën që kaloi se ishte paraqitur në Këshillin Bashkiak një preventiv mbi shumën që nevojitej për prishjen e shtesës prej 7 katesh. Mësohet se kryebashkiaku Vangjush Dako e kishte justifikuar mosprishjen me mungesën e fondeve, por që mbrëmë shumica e këshilltarëve e miratuan shumën e nevojshme.

U votuan mbrëmë anëtarët e rinj
KRRT, koalicioni PD-LSI merr shumicën e anëtarëve

Koalicioni PD-LSI merr shumicën e anëtarëve në KRRT-në e bashkisë së Durrësit. Ndryshimi i tre anëtarëve të vjetër të KRRT-së, të cilët ishin zgjedhur që në vitin 2004, kur kryebashkiak i Durrësit ishte Lefter Koka, përbënte një ndër pikat më të nxehta të rendit të ditën në Këshillin Bashkiak. Kreu i këshilltarëve demokratë Seit Kërtusha, propozoi si anëtarë të rinj të KRRT-së specialistët e ndërtimit Ardian Muka dhe Mimoza Hysi, ndërsa nga ana e LSI-së u propozua emri i Ardian Zhamos. Që të tre të propozuarit nga koalicioni që zotëron shumicën në këshill, fituan me diferencë të ndjeshme kundrejt emrave të listës së propozuar nga Vangjush Dako. Pavarësisht faktit se kryebashkiaku Vangjush Dako zotëron njëkohësisht edhe cilësinë e kreut të KRRT-së në bashki, ai nuk mund të kontrollojë më vendimet, pasi tashmë ka në dispozicion vetëm 7 kartonë, kundrejt 8 të koalicionit PD-LSI. I menjëhershëm ka qenë reagimi i kryebashkiakut Vangjush Dako, kundrejt fjalës së Seit Kërtushës. Dako kërkoi si parakusht për të qenë anëtar i KRRT-së së Durrësit një CV të pasur prej profesionistësh dhe jo emra të cilët ai i cilësoi si “zbatues të urdhrave politikë”. Votimi për anëtarët e rinj të KRRT-së u krye i fshehtë në mënyrë që të mos cenohej vullneti i secilit prej këshilltarëve, procedurë kjo që u pëlqye nga të majtët dhe të djathtët. Në fund të votimit kryebashkiaku Dako do të shprehej se “kemi pasur rrjedhje votash”, çka nënkupton se lista e propozuar prej tij është kundërshtuar në kutinë e fshehtë të votimit, nga ndonjë këshilltar i PS-së.                                     o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›