Kryetarët
Edmond Arizaj
A ka ndryshime mes rizgjedhjes së Sali Berishës, kryetar i Partisë Demokratike dhe Edi Ramës, kryetar i Partisë Socialiste? A ekziston brenda formacioneve respektive të këtyre liderëve e ashtuquajtura demokraci? Në analizë të parë, rizgjedhja e Sali Berishës në një sallë festive, me mbi 90 për qind të votave, pa asnjë rival, të risjell në kujtesë Kongreset fitimtare të para ’90, kur shkonim nga fitorja në fitore. Në sipërfaqe, pa problem mund të shkarravisësh shenjën e ndryshimit me rizgjedhjen e Edi Ramës, në bazë të parimit një anëtar një votë, me rival dhe me votim në gjithë anëtarësinë. Por nëse të apasionuarit i hyjnë analizës dhe krahasimeve, mund të vërejnë se shenja e ndryshimit do të kthehej shpejt në shenjë barazimi, madje tek tuk do të kishte edhe pikë plus për demokratët në formën e transparencës së sinqertë. Jo vetëm në Partinë Demokratike, por në të gjithë Shqipërinë, madje edhe jashtë saj, nuk ka një të vetëm që të mund të vinte në dyshim rizgjedhjen e Sali Berishës. Në vend të bënin një farsë zgjedhore, (si para do viteve) demokratët u treguan praktikë; këta jemi, këtë kemi kryetar, për keq apo për mirë, askush nuk guxon ta rivalizojë. Socialistët pranuan një farsë, madje votuan për të duke e shpallur si demokratike. Kush mund të mendonte se Maqo Lakrori do të mund të rrezikonte Edi Ramën?! E megjithatë, Lakrori në ndryshim nga Rama, u paraqit me platformë, me ide, me zgjidhje për krizën, ndërsa Rama vetëm me retorikën antiqeveritare. Siguria se ishte fitues, ia jepte këtë të drejtë. Morali? Nuk mund të thuhet se është në anën e Partisë Demokratike, por jo domosdoshmërisht ndodhet edhe në krahun e Partisë Socialiste. Një pranim arrogant i të vërtetës, kemi Berishën, dhe një farsë, Rama ka rival, në fund japin të njëjtën rezultat, antidemokracinë. Me ndryshimin e madh, se Berisha vjen nga strukturat e komunizmit dhe prej 20 vjetësh Partia Demokratike nuk i ka bërë ndryshe zgjedhjet, ndërsa Rama vinte si ideatori i demokracisë së brendshme dhe të jashtme dhe u kthye në miniberishë, në një parti që kishte bërë hapa të mëdhenj para në demokracinë e brendshme.
Asnjë zë kundër Berishës, asnjë analizë pse janë në qeverisje jo të vetëm si katër vjet më parë, por e kanë ndarë pushtetin me një parti të majtë. Kjo logjikë qëndron në anën e analizës anti-Berishë. Pro berishët përgjigjen fare lehtë, fitimtarët nuk gjykohen. Dhe Kuvendi i PD-së kthehet në një takim festiv me dhjetërat e njerëzve që janë të punësuar në administratën shtetërore dhe për katër vite të tjera do të provojnë beneficet e fitimtarit që e zgjodhën kryetar dhe të vetes që nuk u bënë gjykatës. Të flasësh është argjend, por heshtja është flori, thonë. Ata që provuan të dalin kundër Berishës në vite, u përplasën pas tij, u thyen, disa u rikthyen dhe sot buzëqeshin nën ombrellën e Berishës dikur autokrat, të tjerë janë larg partisë, pa asnjë shans rikthimi nëse nuk kryqëzojnë mendimet me Berishën, të tjerë akoma janë hedhur majtas, me rrezikun gjigand të kthehen në asgjë. Rrezik demokracie shqiptare?! Nga ana tjetër kemi edhe Ramën në krye të PS-së. Pati zëra kundër, ajo parti përherë e ka pasur këtë liri, këtë demokratizim të brendshëm. Por këtë radhë zërat u kthyen shpejt në zëtha, pasi u mbytën në emër të partisë (diçka të rikujton sërish me para ’90). Kur u bë analiza e humbjes turpëruese përballë një Berishe të akuzuar prej mëse dy vjetësh për çështje të ndryshme, dhe me Gërdecin në shpinë? Kur u bë analiza e përzënies së 83 mijë votuesve dhe bashkimi me parti që të gjitha së bashku shkonin tek mbi 20 mijë votues? Kush guxon të thyejë vendimin e Ramës për hyrjen në Kuvend? Askush. Sepse përjashtohet menjëherë nga partia. Kush e bëri analizën pse u largua një deputet i listës së Ramës, duke krijuar një parti të re? Askush. Sepse gabimi ishte i kryetarit. A ka sot liri fjale brenda Partisë Socialiste? A kanë forcë gjysmë deputetët të kërkojnë të drejtën minimale, të përfaqësojnë elektoratin në Kuvend (atë të drejtë që e ngrenë me forcë kur janë jashtë fushëpamjes dhe fushëdëgjimit të Ramës)? Aspak. Madje në ndryshim rrënjësor nga demokratët, socialistët në mitingje nuk duartrokasin vetëm për liderin e tyre, por edhe për drejtues të tjerë partish, pa asnjë lidhje me forcën e tyre dhe që paturpësisht u kërkojnë të mitingojnë çdo ditë. (Kureshtje është të mësonim se sa njerëz kishin ata në mitingun e 20 nëntorit).
Të rinjtë e Partisë Demokratike natyrshëm nuk dalin në skenë pa “lejen” e Berishës. Por hidhen në treg, provohen në elektorat dhe struktura, stimulohen dhe ata që e përballojnë presionin ecin para, sigurisht dhe padiskutueshmërisht me kartën e të besuarit të Berishës në xhep. Të rinjtë e Partisë Socialiste kanë me vete vetëm kartën e të besuarit. Nuk u provuan, nuk e njohin elektoratin, nuk e njohin partinë. Njohin veç kryetarin, flasin veç për idetë e kryetarit, mbrojnë vetëm pasionin e kryetarit.
Rizgjedhjet e Ramës fillimisht dhe Berishës më pas, konfirmojnë të përhershmen se kryetari është dhe mbetet strumbullari ku vërtitet e gjithë partia. Nuancat mund të jenë të ndryshme, por thelbi i njëjtë. Mund të jenë të ndershme si PD-ja; Berisha nuk ka kohë të dëgjojë rivalë të fabrikuar, pse të bëjmë lojëra kot dhe hipokrite si PS-ja; Rama u rivalizua si evropian një anëtar një votë, por Lakrori nuk ia mbushi mendjen anëtarësisë. Berisha thotë që do të qëndrojë edhe dhjetëra vjet në politikë, natyrshëm si kryetar i PD-së, Rama është ende shumë i ri, edhe ai do të jetë gjatë kryetar I PS-së. Asnjë prej të dyve nuk ka dhënë dorëheqjen kur ka humbur zgjedhjet. Thjesht, pavarësisht arsyeve, asnjë prej të dyve nuk e pranon parimin elementar, humbet-largohesh. Por Rama është më i qelqtë në këtë rast, sepse mbi të qëndron precedenti Nano. Ndërsa në PD, ka vetëm një precedent, Berisha.