Bie në korrent, vdes një elektricist 52-vjeçar
Shkon për të rregulluar defektin, vdes në punë elektricisti. Ngjarja e rëndë ka ndodhur dje, kur një punonjës i OSSH-së në rrethin e Pukës ka mbetur i vdekur gjatë kohës që po bëhej një remont në kabinën e tensionit të lartë të fshatit Luf të Pukës. Viktima mësohet të jetë 52-vjeçari, Pjetër Ndoka, banues në qytetin e Pukës dhe prej shumë vitesh punonte si punonjës i Ndërmarrjes së Elektrikut të rrethit Pukë. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se elektricisti ka qenë duke punuar në kabinën e tensionit të lartë në fshatin Luf të Pukës, kur ka rënë në kontakt me rrymën elektrike. Me gjithë tentativën për t‘i dhënë ndihmën e parw në spitalin e Pukës, gjithçka ka qenë e kotë për 52-vjeçarin, pasi ai ka ndërruar jetë brenda pak minutash nga rënia në kontakt me korrentin. Ndërkohë, grupi hetimor, i ngritur për këtë ngjarje, është duke hetuar nëse shkak është bërë ndonjë gabim njerëzor apo ka qenë ndonjë pakujdesi e kolegëve të tij. Ky është rasti i dytë, brenda një muaji, ku gjatë punës në remonte kanë humbur jetën punonjës të OSSH-së.