E Diel, 1 Nëntor 2026

Miu "djeg" nënstacionin dhe tre specialistë

Një mi që është gjendur brenda aparaturave të nënstacionit elektrik nr.2 në mjediset e ish-Kombinatit Metalurgjik, në Elbasan, ka shkaktuar flakë në këtë të fundit e për pasojë janë aksidentuar rëndë tre specialistë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e djeshme rreth orës 12 e 50 min dhe të lënduarit janë Rozeta Bezhani, 50 vjeçe dhe Alma Seitaj, 40 vjeçe, me detyrë operatore të nënstacionit dhe inxhinieri Veli Sulollari. Mësohet se shkak i zjarrit ka qenë një qark i shkurtër elektrik, që është krijuar sapo brejtësi ka rënë në kontakt me rrymën. Për pasojë brenda pak sekondash mjediset e nënstacionit janë mbuluar nga flakët. Zjarri ka qenë i papritur dhe tre specialistët nuk kanë mundur të reagojnë menjëherë dhe të mbrohen nga flakët. Fatmirësisht, ndërhyrja e zjarrfikëseve ka qenë e shpejtë, për shkak të ndërtimit të sistemit të alarmit në nënstacion. Kjo ka bërë që brenda pak minutash, në vendngjarje të mbërrijnë shërbimet e zjarrfikëseve dhe forcat e policisë së Komisariatit të Elbasanit duke u përfshirë në këtë emergjencë edhe autoambulancat e spitalit kirurgjikal të Elbasanit. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, në pak minuta, situata është vënë nën kontroll. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë në spitalin kirurgjikal. Burime spitalore bëjnë të ditur se 50-vjeçarja Rozeta Bezhani dhe Alma Seitaj 40 vjeçe, janë paraqitur në gjendje të rëndë dhe shkalla e djegies ka qenë relativisht e lartë. Por pas nënshtrimit të kurave intensive, mjekët kanë pohuar se gratë janë jashtë rrezikut për jetën. I plagosuri i tretë në këtë incident, inxhinieri i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes për Prefekturën e Elbasanit, 54-vjeçari Veli Sulovari, ka pësuar dëmtime të lehta pa asnjë rrezik për shëndetin. Burime nga policia lokale bëjnë të ditur se pas kryerjes së hetimeve dhe veprimeve të para procedurale, ka rezultuar se shkak i zjarrit ka qenë futja e brejtësit në aparatura. Fakti që avaria nuk ka ardhur për faj të punonjësve apo mungesave të masave të sigurimit teknik, ka bërë që çështja të konsiderohet e mbyllur. Nënstacioni i është kthyer punës normale rreth 30 pasi ka ndodhur ngjarja.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›