Përmbyset kamioni, vdes shoferi
Tre aksidente, me pasojë vdekjen e një 54-vjeçari dhe plagosjen e katër personave, kanë përgjakur rrugët e Qarkut të Elbasanit gjatë 48 orëve të fundit. Burime zyrtare nga policia rajonale bëjnë të ditur se mbrëmjen e së dielës, si pasojë e përmbysjes së një automjeti të tonazhit të rëndë, ka mbetur i vdekur në vend, drejtuesi i tij, 54-vjeçari Shaban Morina. Kamioni me targa, 442 KS 337, është përmbysur në vendin e quajtur Turbull, të Komunës së Kajanit, rreth 40 km larg Elbasanit. Burimet policore referojnë se 54-vjeçari banor i lagjes "5 Maji" në Elbasan, ishte shofer në firmën që po punon për ndërtimin e aksit rrugor Belsh -Kuçovë. Makina që ai drejtonte ishte e ngarkuar me zhavorr dhe në një moment ka dalë nga rruga duke u përmbysur. Brenda pak minutash mjeti është përfshirë nga flakët e zjarrit, duke bërë të pamundur daljen jashtë të 54-vjeçarit. Kalimtarë të rastit, kanë arritur të shuajnë zjarrin, por nuk kanë arritur dot ta nxjerrin trupin e shoferit nga kabina, pasi ajo ishte deformuar së tepërmi. Është dashur ndërhyrja e punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarret dhe grupeve të shpëtimit, të cilët kanë mbërritur aty së bashku me forcat e policisë së Komisariatit të Elbasanit. 54-vjeçari është dërguar me urgjencë për në spital, por pa mundur të arrijë i gjallë atje. Ndërkohë, në orët e para të ditës së djeshme, në rrugën kombëtare që lidh Elbasanin me Peqinin, në fshatin Çopanaj të Komunës së Përparimit, një makinë ka dalë nga rruga dhe për pasojë tre persona kanë mbetur të lënduar. Burimet zyrtare pohojnë se të aksidentuarit janë Rigert Ibrahimi 25 vjeç, drejtuesi i mjetit tip "Benz" me targa EL 59 99 B, që u përfshi në ngjarjen rrugore, si dhe Ramina Hyseni, 20 vjeçe nga Fieri dhe Metie Shabani, 40 vjeçe nga Vlora. Të tre të dëmtuarit ktheheshin nga një dasmë dhe mendohet se shkak i aksidentit të jetë bërë përgjumja e shoferit. Ndërkohë, një aksident tjetër, është regjistruar në orët e vona të së dielës, ku si pasojë ka mbetur i plagosur Jetmir Mehja, 36 vjeç. Mësohet se katër të lënduarit, nga dy aksidentet e fundit, janë jashtë rrezikut për jetën, ndërkohë që policia po punon për dokumentimin e plotë të tyre.