E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie ne kurth dhe grabitet emigranti

Lushnjë Policia arreston dy keqbërësit

Një emigrant është grabitur mesnatën e së enjtes në aksin rrugor Lushnjë – Rrogozhinë. Mark N., i cili udhëtonte me një makinë me targa greke drejt Durrësit ka ndaluar në afërsi të rrethrrotullimit të Plugut, pasi ka parë në anë të rrugës një mjet të përmbysur. Së bashku me të fejuarën ai ka dalë nga makina, për t’u shkuar në ndihmë personave që mund të ishin në mjetin e përmbysur, por në fakt ka rënë në kurth. Nga pas makinës së përmbysur kanë dalë dy persona, të cilët i kanë kërkuar paratë që kishte me vete. Kur Mark N. ka kundërshtuar, dy të panjohurit e kanë goditur me grushte e shqelma, duke e detyruar të dorëzonte të gjitha paratë që kishte me vete, rreth 2800 euro. Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, emigranti ka shkuar në Komisariatin e Policisë së Lushnjës, ku ka depozituar denoncimin dhe ka bërë një përshkrim të grabitësve. Në bazë të informacioneve që mori nga emigranti, policia e Lushnjës ka nisur menjëherë punën hetimore dhe ka shoqëruar disa persona të skeduar. Mes tyre, Mark N. ka njohur autorët e grabitjes, të cilët kishin ende me vete një pjesë të parave të tij. Pas sigurimit të provave, policia arrestoi Bamir Poçin, 31 vjeç dhe bashkëpunëtorin e tij, Edlir Zeka 35 vjeç, të dy banues në Lushnjë. Sipas policisë, 35-vjeçari Edlir Zeka kishte vetëm 20 ditë që kishte dalë nga burgu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›