Terheqja e ujit zbulon katastrofen
Poshtë sipërfaqes së qetë të ujit që mbuloi Nënshkodrën fshihen pamje rrëqethëse, që po zbulohen pak nga pak çdo ditë. Në ato që mund të quhen brigje të Nënshkodrës, ku niveli i ujit ka rënë tashmë fytyra e përmbytjes është e frikshme. Kafshë shtëpiake të ngordhura, shtëpi të rrënuara, plaçkë e vënë me mund, që tani nuk vlen asnjë grosh...
Por përmbytja e pestë e këtij viti, që konsiderohet më e madhja dhe më e zgjatura në kohë, ka lënë pas jo vetëm pasoja ekonomike, por dhe trauma psikologjike te banorët. Një rast i rëndë raportohet nga banorë të fshatit Muashan të Dajçit, ku një fshatar, pasi ka parë duke u mbytur rreth shtatë krerë lopë, që përbënin gjithë pasurinë e tij, ka pësuar një krizë nervore dhe aktualisht qëndron i shtruar në spitalin psikiatrik.
Një pjesë e fshatit Mushan është çliruar nga uji tashmë. Në njërën nga lagjet periferike, edhe pse përmbytja konsiderohet e kaluar, shtëpitë janë të gjitha të braktisura. Për të arritur në këtë lagje duhet të ecësh një orë në këmbë nga rruga kryesore e Komunës Dajç dhe të kalosh disa rrjedha të forta uji.
Është një mjedis sureal, një lagje fantazmë ku asgjë e gjallë nuk lëviz veç disa shpendëve që ulen nëpër oborret e shtëpive për të ngrënë kërmat e lopëve e derrave të vrarë nga uji dhe uria. Sa më thellë të hysh në këtë lagje të Mushanit, aq më të mëdha duken pasojat e përmbytjes. I vetmi njeri që ndodhet në këtë zonë është Fran Macaj, kushëriri i disa banorëve të lagjes. Ai ka ardhur për të parë dëmet. Siç tregon Frani, dëmet janë tepër të mëdha në stallat e bagëtive të këtyre shtëpive. Dhjetëra lopë e derra gjenden ende të ngordhura nëpër oborre.
Nga verifikimi ynë në terren konstatuam 20 lopë të ngordhura, si dhe dhjetëra derra, dele dhe pula. Shumë bagëti të ngordhura janë në dekompozim dhe sipër duke krijuar ndotje shqetësuese.
Nga e gjithë kjo panoramë e rëndë, situata nuk ka kaluar pa lënë dhe dëme psikologjike. Uji këtu ka ardhur vrullshëm, aq pa papritur sa banorët nuk kanë pasur kohë të mendojnë për gjë tjetër veç të shpëtojnë kokën. Shumica e bagëtive janë lënë të lidhura në oborre apo brenda stallave, pa asnjë mundësi shpëtimi.
Fran Macaj tregon se një banor i kësaj zone, pasi ka parë gjendjen e rëndë të shkaktuar nga përmbytja ka pësuar dhe traumë psikologjike dhe ende sot ndodhet i shtruar në spital.
Përveç dëmeve masive në bagëti në këtë lagje shumë banesa kanë filluar të marrin plasaritje, pasi kanë qëndruar nën rreth 3 metra ujë për 30 ditë me radhë.