Durres i dehuri masakron me gure shokun e pijes
Një 42-vjeçar nga Durrësi ka mbetur i vdekur nga goditjet me gurë, ndërsa i dyshuari si autor ndodhet në koma dhe nën masë arresti në flagrancë. Viktima dhe autori janë gjetur pranë e pranë të gjakosur e me plagë të rënda nga goditjet e njëri-tjetrit me gurë.
Të dy kanë qenë të dehur kur kanë nisur të konfliktohen dhe godasin me mjete të forta njëri-tjetrin. Viktima është Krenar Mustafa, 42 vjeç me banim në Durrës, ndërsa në gjendje të rëndë shëndetësore është dhe i dyshuari si autor i krimit, Astrit Piku. Ngjarja e rëndë kriminale e këtij fundviti ndodhi dje pranë Stacionit Hekurudhor të Shkozetit, në afërsi të trasesë. Rreth orës 16.00 të ditës së premte, uniformat blu të Durrësit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Astrit Piku, 49 vjeç, me banim në Durrës. Burime zyrtare të policisë bënë të ditur se ka dyshime të forta që i arrestuari është autor i vrasjes së shtetasit Krenar Mustafa.
Nga hetimet e para të bëra mbi ngjarjen rezultoi se gjatë orëve të para të ditës, në lagjen nr.14 të Durrësit, në afërsi të trasesë së shinave të trenit pranë Stacionit të Trenit Shkozet, 42-vjeçari Krenar Mustafa dhe Astrit Piku, autori i dyshuar i ngjarjes, të ndodhur në gjendje të dehur, janë konfliktuar e goditur me gurë. Si pasojë e goditjeve të marra, shtetasi Krenar Mustafa ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa ka mbetur i dëmtuar rëndë shtetasi Astrit Piku, i cili është rrëzuar pa ndjenja në një kanal aty pranë.
Burime nga spitali i Durrësit bëjnë të ditur se Piku ka marrë dëmtime të rënda në kokë nga goditjet me gurë. Trupat e dy të dehurve, njëri i vdekur e tjetri i plagosur rëndë janë gjetur dje në mëngjes nga kalimtarë të rastit. Viktima është dërguar në morgun e spitalit të Durrësit, ndërsa i plagosuri në repartin e reanimacionit të këtij spitali rajonal. Ndonëse ndaj Pikut është vendosur masa e arrestit në flagrancë, ai ndodhet në gjendje kome dhe pak shpresa jepen për mbijetesën e tij nga goditjet e forta.
Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit deklaroi në mbrëmje se vazhdon puna për zbardhjen e dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje të rëndë, e cila paraprakisht është klasifikuar si një vrasje nga pakujdesia. Materialet procedurale për këtë vepër penale i kanë kaluar për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit të Durrësit, ndërkohë që ngjarja është një rast tipik i pasojave të alkoolit jo vetëm në shëndetin e njerëzve, por edhe në jetën e tyre.