E Diel, 1 Nëntor 2026

Arrestohen kater grabitesit e pronarit te Baxhos

Devoll

Arrestohen nga policia katër persona që sulmuan me armë dhe maska një familje në fshatin Ziçisht të Devollit, pa mbushur 24 orë nga tentativa e tyre për grabitje. Policia ka vënë në pranga shtetasit Darlin Metolli, 19 vjeç, Geraldi Kaso, 18 vjeç, Gentian Zyfi, 23 vjeç, që të tre këta nga fshati Dobranj i Rrethit të Devollit, si dhe 27-vjeçarin Aleksandër Taho nga fshati Plasë i Korçës. Operacioni u kodua “Dobranji” për shkak të emrit të fshatit. Sipas policisë, sulmi me maska i katër personave të pajisur me armë zjarri dhe armë të ftohta, ndodhi pas mesnatës duke u gdhirë dita e enjte. I zoti i shtëpisë, 50-vjeçari Petraq Miholli është thirrur nga jashtë banesës dhe ka dalë për të takuar personin që i shkoi natën në shtëpi. Personat e maskuar kërcënuan kryefamiljarin që t’u jepte para. Gjatë përleshjes dolën nga banesa gruaja dhe vajza e Mihollit, të cilat janë gjendur nën goditjet e grabitësve. Tre pjesëtarët e familjes Miholli kanë përfunduar në spital, ku plagë më të rënda mori Petraq Miholli i cili u dërgua në Spitalin e Korçës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›