E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, investimet e reja lënë "jashtë loje" gjeologët

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Ndonëse funksionon prej 12 vitesh, asnjë firmë private apo hartues projektesh ndërtuese shtetërore nuk ka kërkuar ndonjëherë mendimin e Shërbimeve Rajonale Gjeologjike. Specialistët e saj merren me studimet e zhvillimeve urbane të territorit të Shkodrës, por askush nuk i ka përfshirë në projekte, duke mos llogaritur kështu pasojat. Mosmarrja parasysh e studimeve gjeologjike të tokës ka filluar që tani të shfaqë anët negative. "Një prej rasteve është rruga nacionale Shkodër-Muriqan, e cila megjithëse ka vetëm 4 vite që ka përfunduar, ka filluar të pësojë dëmtime në pjesë të ndryshme të aksit të saj, pa llogaritur këtu dhe rrëshqitjet e dherave nga kodrat anash saj", shprehet për gazetën një nga specialistët e kësaj fushe, Stakë Vukaj. Mjafton të përmendet fakti se jo shumë larg zonës së Muriqanit, rrugët e shtetit fqinj, Mali i Zi, dhe pse janë ndërtuar shumë vite më përpara ndodhen në gjendje shumë të mirë. Sipas specialistit gjeolog, jetëgjatësia e rrugëve të shtetit fqinjë ka ardhur kryesisht në sajë të fillimit të ndërtimit të tyre vetëm duke pasur parasysh studimin e shtresave të tokës. Për specialistin, veç infrastrukturës rrugore Shkodër-Muriqan, një fat të tillë mund të ketë rruga nacionale që pritet të fillojë së shpejti, ajo Shkodër-Hani i Hotit. E sikur të mos mjaftonin këto mangësi në ndërtimin e rrugëve nacionale, një zonë problematike për nga ndërtimi i strukturave të tokës është ajo buzë liqenit të Shkodrës, në zonën e Koplikut. "Në këtë zonë po vërehet një fluks i shpejtë i ndërtimeve, por po t'i referohemi studimeve gjeologjike për zonën, në afërsi të liqenit të Shkodrës rezulton se 13% e sipërfaqes ka risk të lartë të gazit të radonit, një gaz me përbërje radioaktive. Rreth 70% e saj ka risk të mesëm, pasi rreth 15% e sëmundjeve kancerogjene në mushkëri vjen nga prania e gazit të radonit". Vazhdimisht specialistët e ndërmarrjes gjeologjike kanë kërkuar që të mënjanohen ndërtimet e banesave në afërsi të bregut të liqenit në Koplik dhe kjo zonë të shfrytëzohet vetëm për parqe natyrale. Studimet duhet të kryhen dhe në shkallën e ndotjes së ajrit, por as ato nuk po realizohen. Një fakt i tillë vihet re dhe te Parku Industrial që pritet të ndërtohet në zonën e Koplikut, për të cilin askush nuk ka bërë studim lidhur me shkallën e ndotjes së ajrit në këtë zonë. Njëkohësisht inxhinier Vukaj insiston që të ketë një vëmendje të madhe ndaj gjeologjisë urbane, me anë të të cilës arrihet grumbullimi i të dhënave të disiplinave të ndryshme të shkencave të tokës. Këtu përfshihen të dhënat gjeologjike për tokën, për ajrin, hidrogjeologjike, gjeologo-inxhenierike, gjeoturistike, rreziqet sizmike, natyrore etj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›