Greqi, protestuesit djegin makina dhe banka
Edhe pse kishin premtuar qetësi për festa protestuesit në Greqi nuk kanë reshtur, duke sulmuar dhe shkatërruar kryesisht ndërtesa qeveritare dhe qendra biznesi. Shtatë makina, një bankë dhe një ndërtesë qeveritare në Athinë u dëmtuan mëngjesin e së enjtes në një valë të re sulmesh të dhunshme në javën e tretë të protestave që pas vrasjes së një 15-vjeçari nga policia. Sipas agjencisë AFP, sulmet kanë nisur me bankën në orën 22:30 në lagjen jugore të Athinës, Palio Faliro. Sipas burimeve të policisë hyrja e bankës është djegur. Brenda dy orësh ka pasur sulme të tjera me bomba të bëra me dorë, nga të cilat janë djegur tre makina në qendrën “Citroen” në qendër të Athinës, një tjetër makinë “Opel” në pikën qendrore të ekspozimit dhe tre makina të tjera në një tjetër pikë ekspozimi në jug. Edhe një zyrë e Ministrisë së Agrikulturës afër qendrës së qytetit është vënë në shënjestër dhe është qëlluar me molotov, por nuk ka pasur të lënduar. Deri tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmet. Vdekja e 15 vjeçarit Alexis Grigoropoulos më 6 dhjetor nga një oficer policie ka përhapur protesta mes të rinjve, të cilat janë zgjeruar duke nxjerrë në shesh të gjitha pakënaqësitë kundër politikave të qeverisjes së konservatorëve dhe kanë degjeneruar në trazirat më të dhunshme, që janë shënuar në Greqi gjatë dekadave të fundit.