E Shtunë, 31 Tetor 2026

Makina del nga rruga, "fluturon" në Lanë

 

TIRANE - Një automjet përfundoi në lumin e Lanës, rreth orës  02:00 të mëngjesit të djeshëm, për shkak të humbjes së kontrollit nga drejtuesi i saj. Nga aksidenti i mëngjesit të djeshëm nuk ka pasur viktima ndërsa dy persona të dëmtuar lehtë u dërguan në spital. Drejtuesi i automjetit të markës "Mercedez- Benz", 190 me targa TR 5456, mësohet se ka qenë duke ecur me shpejtësi në korsinë jugore të rrugës, me drejtim nga ura e Rrugës së Elbasanit për te Hotel "Dajti". Pranë katedrales së Shën Palit në Tiranë, ku rruga ka pjesën më të madhe të kthesës, mjeti ka dalë nga rruga duke përfunduar disa metra në tej në kanalin e madh në Lanë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes, për të nisur hetimin dhe zbardhjen e aksidentit. Nga veprimet paraprake, të kryera nga ekspertët e policisë rrugore dhe nga këqyrja e vendit të ngjarjes, policia ka konfirmuar se shkak i aksidentit ka qenë ecja me shpejtësi e drejtuesit të mjetit, në një vend ku rruga ka një kthesë me disa gradë. Pas përfundimit të veprimeve në vendin e ngjarjes, policia ka nxjerrë nga përroi i Lanës automjetin. Një karroatrec, i thirrur nga policia rrugore në vendin e ngjarjes, ka nxjerrë mjetin nga Lana ndërsa më pas mjeti është dërguar në policinë rrugore. Veç kryerjes së veprimeve në vendin e ngjarjes, policia ka prerë një fletë gjobe për drejtuesin e mjetit që shkaktoi aksidentin, me argumentin e ecjes me shpejtësi tej normave të lejuara nga Kodi Rrugor. Aksidenti i ndodhur natën e Krishtlindjeve, përpara Katedrales së Shën Palit, në bulevardin "Zhan D'ark", është i pari i tillë në këtë periudhë festash. Kjo ka bërë që policia rrugore të rrisë masat e saj patrulluese në rrugë për të parandaluar aksidentet.       d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›