E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie nga skela, aksidentohet punëtori



POLIÇAN - Një punëtor i kombinatit mekanik në qytetin e Poliçanit ka ngelur i plagosur mesditën e djeshme, pasi ka rënë nga skela ku punonte. Burime nga kombinati bëjnë me dije se 43-vjeçari Agron Periku, punëtor në zonën e demontimit, ka ngelur i plagosur ndërsa punonte mbi një skelë për rikonstruksionin e repartit. Prej disa ditësh mësohet se në repartin C në këtë kombinat po ndërtohet linja e re e demontimit. Për të mbaruar sa më shpejt punimet mësohet se janë vënë në punë dhe disa punëtorë specialistë të ndërmarrjes. 43-vjeçari mësohet se ka rënë nga skela ndërsa ka qenë duke suvatuar. Ai u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Beratit, ku ka marrë ndihmën e parë shëndetësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Sherri, plagoset me thikë nxënësi i gjimnazit

KORÇË - Një nxënës i shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja në Korçë është plagosur dje me mjete të forta në rrethana të paqarta pranë institucionit arsimor. Sipas burimeve zyrtare nga policia, menjëherë pas ngjarjes u kryhen veprimet hetimore procedurale për veprën penale të “plagosjes së lehtë me dashje” në ngarkim të shtetasit Erlind Vinçani, 22 vjeç, banues në Lagjen Nr. 9, Korçë. Hetimet ndaj këtij shtetasi, sipas policisë, filluan pasi pranë shkollës së mesme të Gjuhëve të Huaja, për motive të dobëta, i dyshuari ka goditur në pjesë të ndryshme të trupit me mjete të forta shtetasin E. B., 16 vjeç, banues në Lagjen Nr. 7, Korçë. I plagosuri, sipas policisë, është jashtë rrezikut për jetën në spital, ndërkohë që vazhdojnë hetimet për këtë ngjarje. Policia tha se po punohet për kapjen e autorit të krimit të ndodhur pranë shkollës ku studionte i plagosuri.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›