E Diel, 1 Nëntor 2026

“JAGUAR”, trafiku i drogës, pranga dy vëllezërve nga Kamza

Bllokohen 110 kilogramë Cannabis sativa në Qafën e Koshovicës. Lënda narkotike po shkonte drejt Vlorës, me destinacion Italinë

Artan CENA
TIRANË - Dy vëllezër kanë rënë në pranga pasi janë kapur duke transportuar një sasi lënde narkotike. Burime zyrtare nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur pasditen e djeshme se gjatë operacionit të koduar “Juaguar” janë arrestuar në flagrancë Gjin dhe Adrian Marku, 29 dhe 32 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Kamzë, Tiranë. Kanë qenë hetimet disamujore të policisë që kanë çuar në pranga dy vëllezërit nga Tirana. Arrestimi i tyre është bërë në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës, në kufirin mes Fierit dhe Vlorës. Policia e Shtetit, me anë të një komunikimi me median, ka bërë të ditur se operacioni antidrogë është bërë nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Fier dhe Prokurorinë për Krimet e Rënda. Aksioni mësohet se është zhvilluar gjatë mëngjesit të djeshëm, konkretisht në orën 02:15. Ata janë dërguar në policinë e Fierit dhe më pas janë sjellë drejt kryeqytetit, ku do të merren në pyetje në lidhje me aktivitetin e tyre. Burimet thanë se janë duke bërë hetime intensive për të kapur bashkëpunëtorët e të ndaluarve. Dyshimet janë se lënda narkotike ishte duke u dërguar në Vlorë, me qëllim që të kalonte në shtetin fqinj, Itali.
Aksioni
Hetimet disamujore të nisura në Tiranë nga uniformat blu të kryeqytetit janë finalizuar me sukses në qytetin e Fierit. Operacioni antidrogë ishte koduar “Jaguari” dhe në flagrancë është bërë arrestimi Gjin Ndue Markut, 29 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Kamzë, si dhe Adrian Ndue Marku, 32 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Kamzë. Sipas policisë, dy të arrestuarit janë kapur në flagrancë rreth orës 02:15 të ditës së djeshme, në rrugën nacionale Fier-Vlorë, në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës, me automjetin tip “Audi A3” ngjyrë gri, me targë EN 56 BZD. Pas ndalimi të tyre është ushtruar një kontroll ndaj mjetit ku në bagazhin e tij u gjet dhe u bllokua një sasi prej rreth 109.619 kg lëndë narkotike të llojit Cannabis sativa. Kjo sasi lënde narkotike ishte vendosur në pesë çanta të zeza, e ndarë në 99 copë paketime plastmasi dhe natribani. Pas gjetjes së lëndës narkotike ata janë shoqëruar për në policinë e Fierit.
Hetimet
Burime nga Policia e Shtetit kanë bërë të ditur se hetimet kishin nisur disa kohë më parë. Në rrugë operative ishte marrë informacion se dy vëllezërit merreshin me transportim dhe shitje të lëndëve narkotike, kryesisht Cannabis sativa. Pas informacionit kishin nisur dhe hetimet, duke çuar dhe në ndalimin e tyre. Burimet thanë se për arrestimin e tyre operacioni ka nisur nga Tirana. Duke u mbajtur në vëzhgim, policia kishte mësuar se dy vëllezërit do të shkonin në Fier, ku do të merrnin lëndë narkotike dhe do ta dërgonin në Vlorë. Pasi janë lënë që të merrnin sasinë e madhe të drogës, makina e dy vëllezërve është ndjekur nga pas duke u mbajtur në vëzhgim të pandërprerë. Pikërisht në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës ishte organizuar dhe operacioni për kapjen e tyre. Aty ishte ngritur një postbllok që ka ndaluar të rinjtë duke u vënë në pranga. Nga policia, në cilësinë e provës materiale është sekuestruar sasia prej 109.619 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis sativa. Gjithashtu është bllokuar dhe automjeti tip “Audi A3”, katër aparate celulari, si dhe dokumente të ndryshme. Hetimet janë duke u bërë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda me akuzën “trafikim i lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›