E Diel, 1 Nëntor 2026

Dënimi, e mashtroi me martesë, trafikon të renë



TIRANË - Është ekstraduar nga Italia i dënuari me 9 vite burg për trafik femrash. Policia e Shtetit ka bërë të ditur gjatë ditës së djeshme se Ferdinand Etemaj, 42 vjeç, nga Berati, është sjellë me pranga nga Roma për në Tiranë për të vuajtur dënimin e dhënë nga gjykata. Ekstradimi i tij është bërë rreth orës 17:30, nga agjentët e Zyrës Qendrore Kombëtare e Interpol Tiranës. 42-vjeçari ishte vënë në pranga në Milano, Itali. Ai ishte shpallur në kërkim në vitin 2004, në kohën kur ishte dënuar nga gjykata për trafikimin e një vajze me inicialet J. A. Sipas burimeve, Etemaj i kishte premtuar së resë një jetë të lumtur përtej detit, duke e bërë të besonte se do të bëhej kunata e tij pasi ta martonte me të vëllanë në Itali. Deri këtu gjithçka dukej e bukur për vajzën me inicialet J. A., derisa ka prekur tokën fqinje ku jo vetëm që nuk e priste ndonjë martesë, por do të ishte fillimi i një tmerri pa fund për të, mes dhunimesh fizike dhe detyrimi për të ushtruar prostitucion rrugëve të Torinos nga dy vëllezërit që i premtuan lumturinë. Gjithçka ndodhi 14 vjet më parë, ndërsa vajza e lartpërmendur për tre vjet me radhë punoi si prostitutë, ndërsa tutori i saj, pikërisht ai që i kishte premtuar martesën me të vëllanë, u shpall në kërkim ndërkombëtar për vite të tëra dhe vetëm dje u mundësua ekstradimi i tij në Shqipëri nga Milano e Italisë. Fjala është për 42-vjeçarin Ferdinand Etemaj nga Berati, ndaj të cilit gjykata ka vendosur një masë dënimi për 9 vjet burg me anë të një vendimi të vitit 2004, pas denoncimit të vajzës që u trafikua për qëllime prostitucioni. Ndaj tij rëndon vepra penale e shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese, parashikuar nga neni 114/a, pika 1 dhe 4 të Kodit Penal, ndërsa dje ai iu dorëzua autoriteteve shqiptare nga ato italiane falë bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën.

Tiranë
Në kërkim, polica vë në pranga katër persona
TIRANË - Drejtoria e Policisë së Tiranës ka njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë arrestuar katër persona të akuzuar dhe të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Sipas policisë, i arrestuari i parë akuzohet për armëmbajtje pa leje. Dje në mesditë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 bënë të mundur ndalimin e Shkëlqim Alliut, 43 vjeç, banues në Tiranë. Në ngarkim të tij, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar urdhër ndalimin ekzekutim urdhrin të ndalimit datë 19 qershor 2009, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendim të datës 8 qershor 2009, e ka dënuar me 4 muaj burg për veprën penale të “mbajtjes pa leje të municioneve luftarake”. Dy ditë më parë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, u kap shtetasi në kërkim Jetlir Koleci, 26 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë. Ndaj tij, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Vlorë, më datë 9 shkurt 2010, ka dërguar për ekzekutim vendimin penal të datës 22 shtator 2009, të Gjykatës Vlorë, e cila e ka dënuar me 3 muaj burg për veprën penale të “dezertimit nga ushtria”. Po mbrëmë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 u kap i kërkuari Ramazan Bana, 59 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale të kundërshtimit me dhunë të punonjësit të policisë sepse në banesë iu gjet e bllokua me cilësinë e provës 6 kallëpe tritoli, 1 automatik model 56, 1 granatë dore, 350 fishekë, 2 gypa ndezës. Policia gjithashtu mbrëmë ka arrestuar edhe një tjetër person me akuzën e vjedhjes. Nga burimet zyrtare mësohet se shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestuan në flagrancë Hysni Shehun, 49 vjeç, banues në Tiranë. Ky person është kapur dy ditë më parë rreth orës 17:00, duke tentuar të vjedhë panelin elektrik të pallatit të firmës “Sivis”, në afërsi të Yzberishtit Tiranë, thanë burimet nga policia.

6 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›