Thikë mjekut për parkimin e makinës
Një tjetër mjek është plagosur ditën e djeshme, por jo për shkak të detyrës, por pas një sherri banal. Ngjarja ka ndodhur te rruga "5 Maji" dhe mjeku është dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak. Sipas të dhënave të marra nga policia, mjeku i plagosur është Gentian Tapa, 35 vjeç, i cili është stazhier pranë qendrës spitalore "Nënë Tereza". Burimet policore shpjeguan se fillimisht për këtë ngjarje janë njoftuar shërbimet e Komisariatit Nr. 3, por edhe ato Nr. 4, të cilat janë vënë në dijeni se ngjarja ka ndodhur pranë tregut te rruga "5 Maji". Me t‘u njoftuar në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e policisë nga të dy komisariatet, por më vonë kanë mbërritur edhe specialistët e seksionit kundër krimeve ndaj jetës. Aty është formuar një grup hetimor dhe shumë shpejt është bërë identifikimi i të plagosurit, që është dërguar në gjendje të rëndë në Spitalin Ushtarak. Më pas është bërë edhe shoqërimi i të dyshuarit për ngjarjen, që sipas të dhënave të policisë pritej të arrestohej në orët e vona të natës. Grupi hetimor ka mundur të zbardhë plotësisht ngjarjen që sipas të dhënave ka ardhur si pasojë e një konflikti të momentit mes autorit dhe të plagosurit për parkimin e makinës.