E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shiu katërfishon prurjet në lumin Drin

Që prej tri ditësh, rajoni i verilindjes së Shqipërisë dhe një pjesë e Kosovës e Maqedonisë janë përfshirë nga reshjet e shiut. Sipas shërbimit meteorologjik të forcave ajrore në Kukës deri në mesditën e së premtes kanë rënë rreth 30 mm shi, ndërsa reshjet vazhdojnë me intensitet mesatar në të gjithë zonën. Ndërkaq, mësohet se reshjet e fundit kanë ndikuar pozitivisht në prurjet e burimeve ujore, përfshi edhe ujin e pijshëm, por treguesit më optimistë janë në shtimin e prurjeve në lumin Drin, çka përmirëson ndjeshëm situatën hidrike. Të dhënat më të fundit nga hidrocentrali i Fierzës tregojnë se prurjet e tanishme të ujit janë katërfishuar në krahasim me tri ditë më parë. Nga 40 m3/sekondë që ishin, tani shkojnë në mbi 150 m3/sekondë. Niveli i liqenit të Fierzës ndodhet në kuotën 250 m mbi nivelin e detit, një kuotë relativisht e mirë për stinën. Në këto kushte, hidrocentrali i Fierzës, më i madhi në vend, vazhdon të punojë me tri turbina nga katër të mundshme, ndërsa me kapacitet të plotë punojnë Komani dhe Vau i Dejës. Sinoptikanët thonë se edhe dy-tre ditët e ardhshme do të ketë reshje, ndërsa temperaturat vazhdojnë të jenë në vlerat e 12-15 gradë C.

Su.Di.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›