E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen eksplozivi, vdes punëtori i gurores

Një punëtor ka gjetur vdekjen nga shpërthimi i eksplozivit, teksa po punonte në gurore. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se në orët e para të mëngjesit është gjetur i vdekur Reshat Dajti, 46 vjeç, banues në fshatin Dajt, Komuna Zall-Bastar, punëtor në guroren në pronësi të shtetasit Bashkim Kuka. Në vendin e ngjarjes ka shkuar menjëherë grupi hetimor i përbërë nga ekspertë kriminalistë, ekspertë xhenierë, oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët po hetojnë mbi rrethanat e kësaj ngjarjeje. Nga hetimet paraprake, rezulton se dy ditë më parë rreth orës 16.00 në guroren e shtetasit Bashkim Kuka, e ndodhur në Tufinë, në afërsi të tunelit të Brarës, si pasojë e shpërthimit të një sasie lënde eksplozivi, të vendosur nga viktima Reshat Dajti, aksidentalisht ky i fundit ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policisë dhe ekspertëve xhenierë u janë dashur disa orë për nxjerrjen e viktimës, pasi ishte i mbuluar tërësisht me një sasi dheu dhe gurësh. Ndërkohë, nga grupi i posaçëm hetimor i formuar, po hetohet për përgjegjësit administrativë dhe penalë, në drejtim të kushteve të sigurimit teknik në këtë gurore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›