Bie nga ura, vdes babai i katër fëmijëve
Një 53-vjeçar, baba i katër fëmijëve, ka gjetur vdekjen teksa përpiqej të kalonte një urë të shkatërruar, që ishte e vetmja mënyrë lidhjeje me botën. Policia e Shkodrës njoftoi se Ndue Lekocaj, banues në fshatin Tamarë, në zonën e Vërmoshit, ka gjetur vdekjen në mënyrë aksidentale, në momentin që po kalonte një urë teli mbi lumin Cem. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, mësohet se viktima ka qenë duke u kthyer për në shtëpi rreth orës 15.30 të së mërkurës, pasi kishte qenë në qendër të komunës. Për të shkuar në shtëpi atij i duhej të kalonte lumin nëpërmjet një ure pasarelë të amortizuar. Një pakujdesi e vogël ka bërë që viktimës t‘i rrëshqasë këmba dhe të bjerë rreth 15 metra poshtë në lumë. Për pasojë, Ndue lekocaj ka humbur menjëherë jetën, pasi përplasja e tij te shkëmbinjtë e shtratit të lumit i ka shkaktuar plagë tepër të rënda.