Theri kushëririn, helmon veten me fostoksinë
Vret veten, pasi plagosi rëndë djalin e xhaxhait. Pëllumb Selami, i cili të mërkurën u shpall në kërkim nga policia si autor i dyshuar i plagosjes së topografit të Komunës Kutalli të Beratit, Bujar Selami, ka ndërruar jetë dje në spitalin e Fierit, i helmuar me fostoksinë. Mjeku toksikolog i spitalit të Fierit, Kilo Stoja, tha dje, se Pëllumbi ishte çuar në urgjencë në mesditë, nga disa persona të paidentifikuar, të cilët u larguan menjëherë. Mjeku thotë se pacienti ishte në gjendje të rëndë, por ka mundur të tregojë se kishte gëlltitur dy kokrra fostoksinë. Megjithëse u është nënshtruar terapive intensive, Pëllumb Selami ka gjetur vdekjen rreth orës 19.00, për shkak të helmimit. Policia e Fierit tha se për hetimin e kësaj ngjarjeje është interesuar Policia e Beratit, e cila e kishte shpallur në kërkim këtë person. Ndërkohë, mësohet se Bujar Selami, i plagosur rëndë të mërkurën, ndodhet ende në rrezik për jetën.