Prokuroria kërkon burgim të përjetshëm për një vrasës
Prokuroria e Shkodrës ka kërkuar dje dënimin me burgim të përjetshëm dhe 20 vjet burg për dy persona, që akuzohen për dy vrasje të kryera në bashkëpunim, në kohë të ndryshme. Në Gjykatën e Shkodrës është zhvilluar dje seanca gjyqësore në ngarkim të shtetasve Valentin Ftoni dhe Paulin Kola. Për të parin, prokuroria ka kërkuar dënim kapital, ndërsa për Kolën, 20 vjet burg. Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm vetëm Paulin Kola, i cili është arrestuar një vit më parë, ndërsa Valentin Ftoni është gjykuar në mungesë. I arrestuari Kola dhe i shpalluri në kërkim Ftoni, sipas prokurorisë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer vrasjen e shtetasit Gac Vastoma në gusht të vitit 1998 në fshatin Casit, ndërsa në gusht të vitit 2001 kanë kryer një tjetër vrasje, atë të 24-vjeçarit Behar Becaj, në qytetin e Shkodrës. Në seancën e djeshme ishte thirrur si dëshmitar edhe vëllai i Gac Vastomës, i cili ka deklaruar para trupit gjykues se nuk kishte dijeni për autorët e krimit. Prokuroria në konkluzionin përfundimtar i ka kërkuar trupit gjykues të deklarojë fajtor dy të pandehurit dhe të dënojë me burgim të përjetshëm Valentin Ftonin dhe me 20 vjet burg Paulin Kolën.