Bie numri i ekzekutimeve në SHBA
Në vitin 2009, SHBA-ja ka ekzekutuar për çdo javë nga një të dënuar me vdekje, por kjo shifër ka shënuar një rënie të madhe në krahasim me atë ekzistuese para një dekade, ka zbuluar raporti vjetor i Qendrës Informative për dënime me vdekje.
Në krahasim me numrin e ekzekutimeve para një dekade, numri i ekzekutimeve në vitin 2009 ka shënuar një rënie prej 47 për qind dhe ekzekutimi i dënimit me vdekje është bërë në 11 nga 35 shtetet e SHBA-së, të cilat ende e lejojnë këtë praktikë, u theksua në raport.
Texasi, me mesatarisht nga 34 persona të ekzekutuar brenda vitit gjatë dekadës së kaluar, vazhdon të kryesoi listën e shteteve me numrin më të madh të ekzekutimeve, me ç’rast këtë vit në Texas janë ekzekutuar 24 persona të dënuar me vdekje.
Ky shtet pasohet nga Alabama, me gjashtë ekzekutime, nga Ohio me pesë ekzekutime dhe Virginia me tri.
Në vitin 2009 rënie ka shënuar edhe numri i personave, të cilëve ju është shpallur dënimi me vdekje, me ç’rast këtë vit ky dënim i është shprehur 106 personave, numri ky më i vogël që nga fuqizimi i dënimit me vdekje në vitin 1976.
Në vitin 1994, një numër rekord prej 328 personave janë dënuar me vdekje në gjithë territorin e SHBA-së, por kjo shifër ka shënuar rënie të vazhdueshme, më 119 persona që janë dënuar me vdekje në vitin 2007 dhe më 111 në vitin 2008.