E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie përkohësisht prurjet nga kaskada, Maqedonia gati hapjen e portave të Ohrit

Ervin KOÇI

Sapo kanë rënë fare pak shkarkimet nga portat e hidrocentraleve mbi kaskadën e Drinit, një lajm i keq vjen nga Maqedonia. Autoritet e këtij vendi kanë njoftuar se do të hapin portat shkarkuese të liqenit të Ohrit në qytetin e Strugës, pasi niveli i ujit është rritur ndjeshëm. Prej aty nis e buron lumi “Drini i Zi” që është dega kryesore e lumit “Drini i bardhë” në të cilin janë ndërtuar tre HEC-et tona më të mëdha, e prej të cilave është shkaktuar përmbytja në zonën e Shkodrës. Por për ministrin e Energjetikës, Dritan Prifti, kjo situatë nuk do të ketë aspak ndikim negativ në nivelin e prurjeve në kaskadën e Drinit. Ai ka shpjeguar se nuk do të krijohen probleme, pasi shkarkimet nga pala maqedonase do të jenë në nivele shumë të ulëta, rreth 110 metra kub në sekondë. “Kemi pasur kontakt me Korporatën Elektroenergjetike të Maqedonisë që në mëngjes. Ata na kanë thënë se nga liqeni do të shkarkohen sot 110 metër kub për sekondë, çka është totalisht e papërfillshme për sistemin tonë. Ne përballuam një rast vërshimesh që ndodhin një herë në 100 vjet dhe përderisa arritëm ti përballonim me sistemin tonë maksimal, them se çdo lloj situate që mund të vijë, jap garanci që me sistemin tonë mund ta përballojmë”- theksoi ministri Prifti.

Situata në HEC-e

Kreu i Energjetikës, Prifti, ka deklaruar gjithashtu, se situata në kaskadën e lumit Drin është përmirësuar dhe pritet që brenda 2-3 ditëve të ardhshme, të mbyllen portat e hidrocentraleve. “Kemi përmirësim të situatës në kaskadën e Drinit, niveli i Fierzës i Komanit dhe Vaut të Dejës vazhdon të ketë ulje. Ne kemi porositur një ulje tjetër të shkarkimeve me synimin që pas 2-3 ditësh të ndërpresim shkarkimet”,- u shpreh Prifti.
Po kështu deklarojnë edhe specialistët e energjetikës, sipas të cilëve niveli i prurjes në të tre hidrocentralet e lartpërmendura ka pësuar rënie krahasuar me 24 orët e fundit. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare shprehet se do të vijojë me shkarkimet deri në zbatimin e rregullores që është në fuqi, për të ulur nivelin e Fierzës deri në 290 metra.

Raportimi i KESH

Nivelet e liqeneve në hidrocentralet e Fierzës, Komanit e Vaut të Dejës po shkojnë drejt përmirësimit pasi prurjet janë në rënie dhe shkarkimet gjithashtu. KESH-i njoftoi dje në mesditë se po shkon drejt përmirësimit situata në liqenin e Fierzës pas shkarkimeve që po bëhen në kaskadën e Drinit ku nga dita e djeshme, niveli ka rënë me një metër. Dje deri në orën 13:00 prurjet në Fierzë ishin në nivelin 500 metër kub ujë/sekondë nga 550 që ishin në mëngjes. Në Fierzë derdhjet e ujit mëngjesin e djeshëm ishin 900 metër kub ujë/sekondë, shkuan në 880 metër kub në sekondë në mbrëmje. Fierza me kapacitet 296 metër, aktualisht ka nivelin e ujit në 290.58 metër, duke rënë brenda disa orësh me 2 cm.

Në liqenin e Komanit me kapacitet 175 metër, niveli i ujit ka rënë brenda pak orësh me 1 cm, duke shkuar dje në 170.39 metër. Dhe prurjet gjithashtu shënuan rënie, ku në mëngjes ishin në 250 metër kub ujë/sekondë, dje në mesditë ato shënuan 200 metër kub ujë/sekondë. Derdhjet në Koman në mesditën e djeshme llogariteshin në 1100 metër kub ujë/sekondë nga 1080 metër kub ujë/sekondë. Në Vaun e Dejës me kapacitet 76 metër, niveli i ujit llogaritej në 74.10 metër nga 74.03 që ishte në mëngjes. Ndërkohë prurjet nga 250 metër kub ujë/sekondë gjatë paradites së djeshme, në mesditë shënuan 180 m kub ujë/sekondë. Derdhjet në Vaun e Dejës janë në rënie, ku nga 1350 metër kub ujë/sekondë që ishin dje shkuan në 1100 m kub ujë/sekondë.

Përmbytjet, bujqësia dhe mjedisi më të dëmtuarit në zonë

Pas evakuimit të banorëve dhe dëmtimit të shtëpive, tashmë zonave të përmbytura të Shkodrës dhe Lezhës i kanoset një tjetër rrezik, ai prodhimtarisë së tokës. Ekspertë të bujqësisë thonë se kulturat e mbjella janë tërësisht të dëmtuara, por mbetet e domosdoshme që pas largimit të ujit është e nevojshme që të vihen në punë sistemet e kullimit, në mënyrë që toka të marrë ajër. Sipas profesor, Ilir Kristos, pranë Universitetit Bujqësorë të Kamzës, në rast se situata do të vijojë të paktën edhe për 10 ditë të tjera, atëherë nuk pritet të ketë shqetësime reale, për të mbjellat e pranverës. Megjithatë më shqetësues mbetet dëmtimi i sipërfaqeve bujqësore nga batica. Ky proces ndikon negativisht për shkak të kripërave të ujit. Sipas Krisotos, është e nevojshme që të bëhen investime serioze për ta sjellë tokën në gjendjen fillestare. Të dhënat më të fundit tregojnë se sipërfaqet bujqësore të përmbytura, deri ditën e martë arrijnë në 10 mijë ha tokë. Përfaqësues të ministrisë së Bujqësisë janë shprehur se vetëm 1 mijë prej tyre janë toka që mund të japin prodhim. Megjithatë kjo situatë mbetet për tu verifikuar edhe me banorët e zonës pas largimit të ujit.

13 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›