Pengu i banorëve të përmbytur, “sikur ti kishim siguruar pronat”
Sa herë që ndodhin fatkeqësi natyrore, si tërmeti, zjarri apo se fundi përmbytjet në Shkodër dhe Lezhë, rikthehet debati nëse duhet të sigurohen shtëpitë, biznesi apo veprat e mëdha publike nga katastrofa të tilla. Raste të tilla fatkeqësie nuk kanë pasur shumë ndikim në ndërgjegjësimin qytetar. Për ekspertët e fushës, ka ardhur koha që të gjenden mënyrat për të vendosur me ligj sigurimin e detyrueshëm, duke marrë përgjegjësitë si qeveria edhe individi. Një ligj i tillë do të bënte që zhdëmtimi i banorëve nga këto fatkeqësi të mos bëhet vetëm nga taksat dhe tatimet e shqiptarëve, por nga kompanitë që sigurojnë edhe pasuritë publike e shtetërore. Banka Botërore që në vitin 2002 ka nisur hartimin e një ligji të tillë sigurimi për Shqipërinë, por qeveritë e kanë refuzuar deri tani aprovimin e tij, për shkak të nivelit të jetesës. Për aktorët e tregut të sigurimeve, në Shqipëri ofrohen të gjitha llojet e sigurimeve por zgjedhja mbetet e lirë në dorë të qytetarit. Shqipëria mund të klasifikiohet e fundit në rajon e më gjerë, për sa i përket nivelit të sigurimit për frymë. Shifra llogaritet në 15 euro, ndërkohë që vendi fqinj Maqedonia rezulton të jetë në nivelin e 80 eurove për frymë.
Biznesi kosovar, 120 mijë euro për Shkodrën
Thirrjes së Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë për tu solidarizuar në dhënien e ndihmave për zonat e përmbytura biznesi i ka dhënë përgjigje pozitive. Kështu sot kompanitë private kanë nisur drejt Shkodrës ndihmat e para konkrete në nevojat më emergjente që vetë Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti kërkoi në takimin e djeshëm me biznesin, që kishin të bënin kryesisht me ujë të pijshëm, me bukë dhe karburant. Pjesë e rëndësishme e takimit me shtabin e emergjencave civile ishin përfaqësuesit e biznesit të Kosovës të cilët erdhën dje në Shqipëri për tu solidarizuar dhe për të dhënë ndihmën e tyre konkrete. Në emër të këtij biznesi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Besim Beqaj, i cili shoqërohej dhe nga dhjetë sipërmarrës kosovarë, deklaroi kontributin e tyre në vlerë 120 mijë euro. “Kjo është një shumë e cila ka një vlerës simbolike, por me anë të kësaj duam të shprehim solidaritetin tonë të plotë me banorët e këtyre zonave - u shpreh Beqaj duke shtuar se, - populli i Kosovës është më afër se kurrë në këto momente dhe se ndihma nga ana e sipërmarrësve kosovarë do të jetë e vazhdueshme deri në momentin e përmirësimit të plotë të situatës”.
13 Janar 2010