Kodheli: “Ministri Prifti, përgjegjësi kryesor i përmbytjes në Shkodër”
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, është përgjegjësi kryesor i përmbytjes në zonën e Nën-Shkodrës. Deputetja e Partisë Socialiste, Mimi Kodheli, ia ka deleguar drejtpërdrejt ministrit Prifti përgjegjësinë e plotë mbi situatën. Kodheli nënvizoi se në vend që uji të depozitohej në Shkodër dhe Lezhë për t’i përmbytur më pas, do të ishte më mirë që të përdorej për të prodhuar energji. Në këtë mënyrë, deputetja Kodheli theksoi se në buxhetin e shtetit do të ishin arkëtuar plot 35 milionë dollarë, ose 3 miliardë e 500 milionë lekë nga prodhimi i më shumë se 457 638 megavat energji elektrike.
Deklarata
Deputetja Kodheli, përmbytjen në Veri të vendit nuk e cilëson si fatkeqësi natyrore, por kjo situatë mbart përgjegjësin kryesor. Sipas saj, nëse ministri Prifti nuk do të kishte grumbulluar jashtë çdo rregulli, normë dhe ligji, atë sasi të jashtëzakonshme uji, përmbytja nuk do të kishte ndodhur. “Dëgjuam Sali Berishën që në vend që të fliste për përgjegjësinë direkte të Dritan Priftit në katastrofën e krijuar në Veri të vendit, e përgëzonte këtë ministër të papërgjegjshëm për përmbytjet që ai shkaktoi. Sali Berisha përgëzonte Dritan Priftin për qindra familjet që humbën shtëpitë në ditët e para të këtij Viti të Ri. Sali Berisha përgëzonte Dritan Priftin për mijëra shqiptarët që humbën të mbjellat, bagëtinë, tokat dhe burimet e mbijetesës së tyre të përditshme”, - u shpreh Kodheli, duke nënvizuar se katastrofa që prej më shumë se dhjetë ditësh ka zhytur në ujë Shkodrën, Lezhën dhe komuna të tëra të veriperëndimit së Shqipërisë, nuk është një katastrofë natyrore, siç përpiqet ta shesë Sali Berisha dhe Dritan Prifti. “Vuajtja me të cilën përballen sot shqiptarët e përmbytur ka një përgjegjës, Dritan Priftin. Prej muajsh Sali Berisha dhe qeveria e tij e votave të vjedhura është përpjekur të fsheh gropën e zezë në buxhetin e shtetit. Përpjekja e tyre më e fundit, përveç se e dëshpëruar, rezultoi fatale për Shqipërinë dhe shqiptarët”, - theksoi deputetja Kodheli.
Korrupsioni
Partia Socialiste, nëpërmjet deputetes Kodheli, do ta cilësonte më të arsyeshme që uji, i cili përmbyti Shkodrën dhe Lezhën, të përdorej për të prodhuar energji, duke arkëtuar në buxhetin e shtetit një shifër prej 35 milionë dollarësh. “Për më tepër, nëse gjatë ditëve të fundit të dhjetorit, në vend që uji të depozitohej për të përmbytur më pas Shkodrën dhe Lezhën, do të ishte përdorur për të prodhuar energji, jo vetëm që katastrofa do të ishte shmangur, por në buxhetin e shtetit do të ishin arkëtuar plot 35 milionë dollarë, ose 3 miliardë e 500 milionë lekë nga prodhimi i më shumë se 457 638 megavat energji elektrike”, - deklaroi Kodheli, duke shtuar se “ky është dëmi që ka shkaktuar Dritan Prifti. Dëmtime në shtëpi, dëmtime në banesa, dëmtime në prodhim bujqësor e blegtoral, dëm ekonomik për familjet e prekura, dëm ekonomik edhe në buxhetin e shtetit”. Në këtë kuadër, deputetja Kodheli u shpreh se Berisha nuk mund të mbrojë një ministër të papërgjegjshëm si Dritan Prifti, i cili brenda dy javëve u solli shqiptarëve dy fatkeqësi, si rritja e çmimit të energjisë dhe përmbytja e verilindjes së vendit.
Harasani: “Deputetët e Lëvizjes në muajin shkurt do të jenë në Kuvend”
Deputetët e Lëvizjes për Mendim Ndryshe në Partinë Socialiste presin që i gjithë Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste të vendosë të hyjë në Kuvend para fillimit të marsit, kur ndërpriten mandatet e tyre. Vetëm me praninë në sallën e Parlamentit, sipas njërit prej këtyre deputetëve, Andis Harasani, mund të bëhet e mundur edhe thirrja e zgjedhjeve të parakohshme. I pyetur për një media në lidhje me propozimin e ish-kreut socialist të Kuvendit, Servet Pëllumbi, se Presidenti, në rast të moshapjes së kutive duhet të shpallë zgjedhjet e parakohshme, Harasani mban qëndrim skeptik, duke thënë se si mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme kur deputetët janë jashtë Parlamentit. Kjo, sipas Harasanit, nuk mund të arrihet në këtë mënyrë, pasi Berisha e ka thënë qartë që nuk do të pranojë t’i hapë kutitë. “Kur u diskutuan ndryshimet kushtetuese, Rama dhe Berisha, me të drejtë, duke pasur parasysh në radhë të parë stabilitetin e vendit, ndryshuan Kushtetutën dhe tashmë duhen 71 vota për të kaluar në zgjedhje të parakohshme. Dhe sikur PS-ja të hyjë në Parlament, ne nuk i kemi këto vota, kështu që nuk e kuptoj këtë kërkesë të z. Pëllumbi”, - theksoi Harasani. Ndërkohë, në një prononcim televiziv, ai shprehet se brenda janarit apo shkurtit do të ketë një mbledhje të Asamblesë së Partisë Socialiste, ku do vendoset.
Gjermeni: “PS-ja bën apel, qeveria t’i dëmshpërblejë tani familjet e dëmtuara”
Partia Socialiste, në mënyrë të përsëritur i bën thirrje kryeministrit Sali Berisha që të dëmshpërblejë çdo familje të dëmtuar nga përmbytjet. Deputetja e PS-së, Eglantina Gjermeni, deklaroi se katastrofa e ditëve të para të këtij viti të ri nuk ishte një katastrofë natyrore, por një përmbytje e shkaktuar nga babëzia dhe korrupsioni i kësaj qeverie dhe i një ministri plotësisht të papërgjegjshëm. “Përmbytja që la mijëra familje pa shtëpi e pa katandi nuk erdhi si rezultat i ngrohjes globale, apo eklipsit të hënës, siç thotë kryeministri i votave të vjedhura, por erdhi si rezultat i rënies së shtetit, i moszbatimit të ligjit dhe rregullave që e përcaktojnë qartë kuotën limit të nivelit të ujit në digat e hidrocentraleve”, - u shpreh Gjermeni, duke shtuar se “sot, teksa mijëra shqiptarë vazhdojnë t’i kenë shtëpitë, bagëtinë, tokat dhe të mbjellat në dorë të fatit, Sali Berishës i ka mbetur vetëm një gjë për të bërë: Sali Berisha të lërë propagandën e ditëve të fundit, pasi shkodranët nuk mbijetojnë dot me gënjeshtra, por të mbledhë urgjent qeverinë për të nisur një orë e më parë dëmshpërblimin dhe kompensimin e familjeve të dëmtuara, qindarkë për qindarkë, për çdo dëm”. Gjermeni solidarizohet me familjet e të dëmtuarve, duke u shprehur se të dëmtuarit nga përmbytja që shkaktoi Sali Berisha dhe Dritan Prifti duhet të mendojnë jo vetëm për të nesërmen, por dhe për të sotmen.
13 Janar 2010