E Shtunë, 31 Tetor 2026

Velipojë, Rama: “Qeveri të nxjerrë një fond ekonomik dhe social për familjet”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, duke vizituar banorët në Velipojë të Shkodrës, i ka kërkuar qeverisë të akordojë një fond asistencë ekonomike dhe sociale për ta.
Kryesocialisti Rama, së bashku me deputetët e qarkut të Durrësit e të Shkodrës, ka qenë në komunën e Dajçit dhe të Velipojës në disa fshatra të kësaj komune.
Për të shkuar në komunën e Velipojës është dashur të udhëtohet me një motobarkë në rrugën nga Dajçi në Velipojë. Gjatë rrugëtimit me motobarkën që udhëtonte në një zonë që dukej si liqen, Rama dhe deputetët panë bagëti të ngordhura në ujë, shtëpi të cilave iu dukeshin vetëm çatitë dhe ujësjellësin e komunës, i cili ishte tërësisht nën ujë dhe jashtë funksionimit. Deputetët që shoqëronin Edi Ramën ishin Blendi Klosi, Klodiana Spahiu, Ilir Beqja e Tom Doshi. “Unë e shikoj si domosdoshmëri që kriteret e dëmshpërblimit të jenë gati dhe që në momentin e përcaktimit të dëmeve, menjëherë të lëvrohet fondi i domosdoshëm për t’i dëmshpërblyer deri në qindarkën e fundit këta njerëz. Jo siç ndodhi me ata të shkretët në Gërdec, ku disa u trajtuan si të nënës dhe shumica u trajtuan si të njerkës dhe u la në harresë gjithë ajo plagë e madhe që vazhdon të jetë e hapur për shumë e shumë familje dhe jo vetëm një plagë e mungesës së drejtësisë, por plaga e madhe e pasojave ekonomike”, - u shpreh Rama, duke nënvizuar se është e domosdoshme që qeveria të nxjerrë një fond asistence të menjëhershme ekonomike dhe sociale për këto familje, duke u dhënë para në dorë, në mënyrë që t’u dalin për zot nevojave të tyre të ditës dhe të mos presin nga qielli se do të bjerë apo jo një thes me miell apo do të zbresë një shishe me ujë. “Kjo është një nga ato katastrofa që nuk mund të mbulohet. E vërteta e këtyre katastrofave mund të vonojë, por nuk do të harrojë, sepse është e pamundur që për shkak të keqqeverisje dhe për arsyen që lidhen me babëzinë, që lidhen me korrupsionin, që lidhen me fshehjen e një grope të madhe ende plotësisht të pabërë publike, siç është gropa e krizës ekonomike, është absolutisht e pamundur që kjo katastrofë të mos zbardhet dhe që e vërteta të mos dalë”, - tha Rama.

13 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›