E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie qeveria belge si pasojë e krizës

Pasojat e krizës financiare globale që ka shtyrë në recesion ekonominë botërore konsiderohen si faktori kryesor i rënies së qeverisë belge, Japonia aprovoi fonde të reja për t‘u përballur me vështirësitë, ndërkohë që qeveria gjermane kërkoi të shtunën masa të reja për t‘u bërë ballë vështirësive të shumta.

Tokio iu bashkua qeverive të tjera botërore që po vënë në dispozicion të stimulimit të ekonomive qindra miliarda dollarë, në një çast kur edhe Japonia është në fazë recesioni. Një paketë 54 miliardë dollarëshe u miratua nga qeveria e këtij vendi dje, duke iu shtuar dy të mëparshmeve, gjë që e çon shifrën totale të vënë në dispozicion në më shumë se 100 miliardë dollarë.

Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel bëri me dije se në janar do të ndërmerrej "një hap i mëtejshëm" për mëkëmbjen ekonomike, ndërkohë që vetëm pak ditë më parë kishte thënë se krerët e qeverisë së saj do të takoheshin ditët e Vitit të Ri për të vlerësuar situatën.

Në Belgjikën fqinje, Mbreti Albert u konsultua me liderët politikë pas rënies së qeverisë, kryesisht pasojë e masave të dështuara për të shpëtuar nga kolapsi grupin financiar "Fortis". Kryeministri Iv Leterm shpalli dorëheqjen e qeverisë të premten, pasi një raport i Gjykatës Supreme të këtij vendi vërejti përpjekje politike për anashkalimin e një vendimi gjykate mbi të ardhmen e një banke të rëndësishme, viktimë e krizës financiare globale.

Mbreti, i cili sipas Kushtetutës duhet të vendosë nëse do ta pranojë dorëheqjen, mbajti deri në orën dy të mëngjesit të së shtunës, një seri takimesh me pesë partitë që përbëjnë koalicionin. Konsultimet pasuan gjatë gjithë ditës së djeshme, por mediat belge bëjnë me dije se janë të pakta shanset që qeveria aktuale të vazhdojë të mbetet në fuqi. Kryeministri Leterm i hodhi poshtë akuzat sipas të cilave kërkoi ndikimin mbi vendimin e një gjykate të apelit për ndarjen e aksioneve të bankës në fjalë, por pranoi se qëndrimi i Gjykatës Supreme i bënte pozitat e tij tepër të paqëndrueshme.

Gjaku i ekonomisë globale - kredia - mbetet ende tepër e ngurtë pavarësisht injeksioneve qindra miliarda dollarëshe të bëra nga ana e qeverive. Shefi i bankës britanike "Barclays" tha se njerëzit ashtu si edhe kompanitë do ta kishin të vështirë marrjen e kredive edhe për dy vitet e ardhshme. "Do ta shohim procesin e mpakjes së huadhënies të shtrihet edhe gjatë 12 muajve të ardhshëm, por ndoshta edhe për 24 muajt e ardhshëm", tha Xhorxh Varli për rrjetin BBC.

Ndërkaq, Kina i shtriu edhe më tej premtimet për të ndihur fqinjët, duke bërë me dije se kishte vendosur të përmbushte kërkesën për ndihma ardhur së fundmi nga Tajvani. Lidhjet mes Kinës e Tajvanit, të ndara që prej luftës civile në Kinë, në vitin 1949, po zbuten vazhdimisht që nga çasti i ngjitjes në postin e Presidentit të Ma Jing Jeu. "Në rast se Tajvani na kërkon të ndërhyjmë për t‘i lehtësuar vështirësitë ekonomike, do të bëjmë të pamundurën për ta ndihmuar", tha Jia Kinglin, i katërti në rangun hierarkik në Partinë Komuniste Kineze.

Kriza financiare, e shpërthyer në vitin 2007 nga rënia e tregut të pasurive të paluajtshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e pasuar nga humbje të jashtëzakonshme në sistemin botëror bankar, ka shtyrë pjesën më të madhe të botës në recesion ekonomik, madje edhe duke arritur të ngadalësojë rritjen ekonomike në Kinë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›