E Shtunë, 31 Tetor 2026

Terri: Ndiej ende faj për Championsin e humbur

Kapiteni i Çelsit, Xhon Terri pohon se nuk do të ndiejë asnjëherë qetësinë maksimale, deri në momentin që blutë e Londrës të fitojnë trofeun e Kampionit të Evropës. Mbrojtësi i fuqishëm i skuadrës londineze, vazhdon ta ndiejë veten fajtor për atë 11-metërsh të humbur në finalen e Champions League me Mançester Junajtid, më 21 maj në Moskë. "Do të jem gjithnjë i dëshpëruar për gabimin që bëra, ndaj mund të qetësohem vetëm, nëse ne do të fitojmë Ligën e Kampioneve, pohoi mbrojtësi që mban edhe shiritin e kapitenit të Çelsit, Xhon Terri. Kur kthehem në shtëpi dhe shikoj bluzën e finales së Ligës së Kampioneve, them: kjo ishte një kthesë e madhe. Kam fituar me këtë bluzë shumë trofe, por dua që në të ardhmen të fitoj më shumë". Zërat e fundit spekulativë, bëjnë të ditur se Xhon Terri është në fokusin e sheikëve të fuqishëm, që drejtojnë Mançester Sitin, por kapiteni i Çelsit mendon se, kjo është një humbje kohe: "Shpresoj që të luaj dhe për 10 vitet e ardhshme, por natyrisht me bluzën e bluve të Londrës. Ajo që mendoj tani është që të jap gjithçka për skuadrën londineze. Shikoj zhgënjimin që pësoi Çelsi në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj mendoj se kam obligimin, që t‘u rikthej kënaqësinë të gjithëve dhe në radhë të parë tifozëve tanë të mrekullueshëm. Testamenti im është se në vitet që do të vijnë t‘u dhurojmë tifozëve tanë ndeshje të mëdha dhe trofe të fituar". Disa vite më parë, Xhon Terri dhe disa shokët të tij përfunduan në gjykatë pas një zënke brutale në një klub nate dhe për këtë ndiejnë peshën e madhe të fajit. "Nuk do të kem shansin që të kthej atë kohë prapa, por e di se bëra një gjë shumë të gabuar. Ishte me të vërtetë e turpshme, që përfundova në gjykatë. Por tani mund të them se kam bërë diçka të mirë në futboll, për të shlyer sadopak atë gabim, që kur e kujtoj, ndihem me të vërtetë fajtor", thekson mbrojtësi kapiten i Çelsit. Pas shortit të hedhur të premten në Nion të Zvicrës, skuadra londineze, e drejtuar nga manjati rus i naftës, Roman Abramoviç, ka mësuar se, cili do të jetë edhe kundërshtari i saj në trurin e 1/8-ve. Përballja me Juventusin konsiderohet si një sfidë tepër e vështirë për anglezët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›