E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bie shitja e pallateve në plazhin e Durrësit



Çmimi i një apartamenti në zonën e plazhit, por edhe në qytetin e Durrësit, duket se ka pësuar një ulje të ndjeshme. Sipas të dhënave nga Zyra e Statistikës së Qarkut, vërehet se edhe pse plazhi i Durrësit është vetëm 6.5 km larg qytetit, preket një ndryshim i madh në tregun shitblerjes së apartamenteve të banimit. Kështu, në zonën e plazhit, muajt e fundit kudo lexon tabela me mbishkrimet “Shiten apartamente me çmime të favorshme”, ndërsa në Durrës tregu megjithëse ka ecuri të mirë, dhe njerëzit kërkojnë pallate të reja pasi ka mjaft kërkesa për apartamente, sërish vërehet një ulje në blerje duke e krahasuar me disa muaj më parë. Zyrat imobiliare deklarojnë se “gjatë këtij sezoni shitja e apartamenteve në zonën e plazhit është në shifra tepër të ulëta si kurrë më parë. Kjo shpjegohet me mbipopullimin e plazhit të Durrësit, i cili tashmë i ngjan një qendre urbane me dendësi të madhe ndërtimi”. Kjo ka bërë që pronarët e pallateve të detyrohen të ndjekin një manovër tjetër për çmime mjaft të ulëta, por që nuk u ka dhënë rezultate. Madje ka ndodhur një dukuri tjetër në plazh. Mjaft prej atyre që kanë blerë shtëpi në zonën që shtrihet nga Ura e Dajlanit deri në Plepa kërkojnë t’i shesin përsëri ato.

Luhatja e çmimeve të apartamenteve dhe lokaleve

Ndërtimet në zonën e plazhit dhe në Durrës janë hapur si në anën e detit, dhe matanë rrugës automobilistike. Pronarët e pallateve që kanë përfunduar së ndërtuari gjatë dy viteve të fundit, kanë qenë të detyruar që t’i nxjerrin ato në shitje me çmime të cilat arrijnë deri në 300 euro metri katror, dhe lokalet nga 650 euro deri 700 euro metri katror. Megjithatë, shitjet kanë qenë tepër të pakta. Këtë e konfirmojnë si agjencitë imobiliare, ashtu edhe noterët të cilët merren me procedurat e shitblerjes së banesave dhe lokaleve.

Në plazh, që prej 2 vjetësh është krijuar stoku i banesave. Janë rreth 1000 apartamente të pashitura. Shkaqet kryesore të stokut të apartamenteve janë dendësia e madhe e ndërtimit, uzurpimi i sipërfaqeve të rërës së plazhit nga ndërtimet, zhurma e madhe që mbizotëron atje gjatë gjithë sezonit të verës, si dhe problemet e higjienës e pastërtisë, të cilat janë bërë shqetësuese. Ndërsa brenda në qytet tabloja është krejt e kundërta e plazhit. Çmimi i apartamenteve është në nivele të larta. 1 m2 sipërfaqe banimi kushton 550 deri 600 euro, ndërsa lokalet nga 1200 euro deri ne 2 mijë euro metri katror. Një situatë e tillë në Durrës është shfaqur për shkak se gjatë këtyre 2 viteve të fundit është ulur në mënyrë të ndjeshme dhënia e lejeve të ndërtimit nga ana e baskisë, si dhe është rritur kërkesa për banim brenda në qytet. Konstatohen çmime pak më të lira në zonën periferike të Durrësit në raport me ato që zbatohen në zonën qendrore, por gjithsesi, çmimet nuk luhaten shumë në diferenca të mëdha, çka do të thotë se përgjithësisht tregu i shitjes dhe blerjes së pallateve në Durrës dhe zonat e tij bregdetare ka pësuar rënie të ndjeshme.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›