E Shtunë, 31 Tetor 2026

Higjiena ; Në shitje, akullore me mikrobe

Pas kontrollit të ushtruar nga inspektorët e Drejtorisë së Higjienës në 123 punishte akulloresh dhe ëmbëlsirash janë zbuluar subjekte që shesin akullore me ngarkesë mikrobiale

Akullorja, oazi ku shuajnë etjen e stinës së ngrohtë të verës, është e kontaminuar me ngarkesë mikrobiale. Inspektimi i nisur që nga fillimi i muajit maj nga inspektorët e Drejtorisë së Higjienës në Tiranë ka evidentuar punishte ëmbëlsirash dhe akulloresh me ngarkesë mikrobesh.

Kontrollet

Si një ndër produktet më të kërkuara kundra vapës, akullorja mund të kthehet në rrezik për shëndetin. Shqetësimi vjen nga Drejtoria e Higjienës në kryeqytet, e cila gjatë monitorimit të pikave të prodhimit dhe tregtimit të këtij produkti tejet delikat, ka konstatuar se kushtet e ruajtjes se akullores, veçanërisht tani në stinën e nxehtë dhe një pjesë të ditës pa drita, lënë shumë për të dëshiruar. Inspektorët me fillimin e stinës së ngrohtë kanë shtuar kontrollet e tyre në subjekte të ndryshme të kryeqytetit. Kështu, kontrollet kanë evidentuar se në 123 pastiçeri të kontrolluara, mostrat e marra ka dalë se janë të kontaminuara me ngarkesë të lartë mikrobesh. Sipas burimeve pranë DSHP-së të Tiranës, bëhet me dije se pas kontrolleve të ushtruara dhe problemeve të evidentuara janë dhënë vetëm paralajmërime me sekuestrim të mallit ose mbyllje të biznesit. Ndërkohë që gjatë aksionit të inspektorëve të higjienës do të jenë të shoqëruar edhe me policë bashkiakë. Drejtori e Higjienës u është drejtuar banorëve të tregohen të kujdesshëm në përdorimin e akulloreve. Në mjaft pika prodhimi të kontrolluara, akulloret kanë dalë të kontaminuara me ngarkesë të lartë mikrobesh.

Inspektorët theksojnë se çdo pikë e prodhimit të akulloreve duhet të ketë certifikatën e cilësisë si për qumështin pluhur, ashtu dhe për qumështin e blerë nga fermerët, lëndët bazë që prodhohet akullorja. Po kështu, kujdes duhet të tregohet edhe për mirëmbajtjen e pastrimin e aparaturave prodhuese të akullores. Linjat e prodhimit duhet të pajisen detyrimisht me frigorifer tip banak, i cili mund t’u rezistojë temperaturave të ulëta për shume orë. Një frigorifer i zakonshëm për çdo hapje, ngre temperaturën deri në 10 gradë nga 4 gradë që kërkon maksimumin mbajtja e akullores në gjendje kremoze.

Leje higjienës

Nga ana tjetër, Drejtoria e Shëndetit Publik nuk do të lejojë asnjë subjekt privat që të tregtojë ushqime pa leje higjieno-sanitare dhe pa librezë individuale shëndetësore. Leja higjieno-sanitare dhe libreza individuale shëndetësore janë dhe dy kriteret kryesore, për të cilat inspektorët e DSHP-së, janë duke zhvilluar kontrolle të vazhdueshme në çdo subjekt. “Inspektimet janë fokusuar kryesisht në tregjet e mëdha të Tiranës, pasi aty ka mjaft tregtarë që ushtrojnë aktivitetin e tyre pa norma higjieno-sanitare”, - tha drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik, Gjergj Ndoja. Ai tha se nga inspektimet e fundit të DSHP-së është konstatuar se në lokalet e zonës së pazarit te stacioni i trenit, pazari i "Mulletëve", tregu pranë uzinës “Dinamo” etj. ka mjaft subjekte që shesin produkte bulmeti të papaketuara, në ambiente të hapura, me pluhur dhe pa kushte frigoriferike. Nga ana tjetër, z. Ndoja ka kërkuar nga qytetarët që të tregojnë kujdes në blerjen e ushqimeve, veçanërisht në këto ditë të nxehta.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›