E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie skela e Fabrikës së Çimentos, plagosen 6 veta

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në një nga furrat e Fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë, duke vënë në rrezik jetën e gjashtë punëtorëve të saj. Në gjendje të rëndë shëndetësore janë shtetasit Dunkan Rethorford me shtetësi britanike, maqedonasi Llaze Stavenkovski dhe jordanezi Lajfi Jevernat, veçanërisht në gjendje kritike është shtetasi nga Maqedonia. Puna në kushte të vështira, pa masat e duhura të sigurisë teknike, ka shkaktuar shkëputjen e murit të furrës, e cila po i nënshtrohej remontit dhe zënien nën masivin e inerteve të gjashtë specialistëve që po punonin në skelë. Pas incidenteve të rënda vdekjeprurëse të ndodhura në minierën e Bulqizës dhe në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit, kjo është ngjarja më e rëndë e radhës në industritë shqiptare. Ajo ka ndodhur rreth orës 11:10 të ditës së djeshme në Fabrikën e Çimentos së Fushë-Krujës. Gjatë kohës kur po bëhej remonti i furrës, janë shembur muret e saj dhe për pasojë janë plagosur gjashtë persona, punonjës të një firme të huaj, që po kryente punimet për remontin e furrës. Në vendin e ngjarjes, me të marrë njoftim ka mbërritur grupi hetimor që po heton për shkaqet e këtij incidenti të rëndë, që shkaktoi dëme në njerëz, ndërsa kanë qenë duke punuar. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës ka bërë publik emrat e të dëmtuarve, por nuk ka deklaruar ende shkaqet që çuan në shembjen e një pjese të furrës. Të dëmtuarit janë shtetas me kombësi të ndryshme, të cilët punonin në fabrikë prej disa ditësh. Shtetasi anglez, Dunkan Rethorford, 52 vjeç, ai maqedonas, Llaze Stavenkovski, 55 vjeç, jordanezi 27-vjeçar Lajfi Jevernat, maqedonasi tjetër Besim Gashi, 37 vjeç, Ali Sabah, 50 vjeç me shtetësi libaneze dhe 25-vjeçari shqiptar Elidon Arapi, janë gjashtë punonjësit që mbetën të plagosur. Menjëherë pas ngjarjes ata janë dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku tre prej tyre, sipas burimeve nga policia lokale, janë në gjendje të rëndë, ndërsa tre shtetasit e tjerë ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Gjithsesi dhe ata vazhdojnë të jenë nën trajtim mjekësor. Të dëmtuarit kanë qenë duke punuar për të realizuar remontin e plotë të furrës, duke riparuar vendet ku tullat zjarrduruese të saj ishin dëmtuar. Në punë e sipër, një masiv betoni është shkëputur nga muret e furrës dhe ka marrë me vete tre prej punonjësve që ndodheshin në skelë, si dhe tre të tjerët që ndodheshin poshtë saj. Punonjësit e tjerë të fabrikës u kanë shkuar në ndihmë, duke i nxjerrë nga rrënojat dhe dërguar në spital. Burimet policore bënë të ditur se shtetasi britanik, 52-vjeçari Rethorford, maqedonasi 55-vjeçar Stavenkovski dhe jordanezi 27-vjeçar Jevernat, po luftojnë mes jetës dhe vdekjes, pasi dëmtimet e tyre janë të mëdha. Ndërkohë, grupi hetimor ka vazhduar për orë të tëra kryerjen e veprimeve hetimore për të përcaktuar saktë shkakun e aksidentit dhe për të nxjerrë përgjegjësit e tij.

Të plagosurit

Dunkan Rethorford

52 vjeç, me shtetësi angleze

Llaze Stavenkovski

55 vjeç, me shtetësi maqedonase

Lajfi Jevernat

27 vjeç, me shtetësi jordaneze

Besim Gashi

37 vjeç, me shtetësi maqedonase

Ali Sabah

50 vjeç, me shtetësi libaneze

Elidon Arapi

25 vjeç, me shtetësi shqiptare

Rastet

Aksidentet në minierën e Bulqizës dhe Metalurgjik

Viti 2007 dhe fillimi i vitit 2008 kanë qenë të ngarkuar me aksidente në punë. Në minierën e kromit në Bulqizë vdiqën gjatë vitit 2007 pesë minatorë, ndërsa një tjetër vdiq në fillim të këtij viti. Ndërkohë, një tjetër minator vdiq para pak ditësh në një nga galeritë e nxjerrjes së kromit në Martanesh. Një tjetër aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy punëtorëve ndodhi në një nga furrat e shkrirjes së çelikut, në ambientet e ish-Kombinatit Metalurgjik të Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›