E Diel, 1 Nëntor 2026

Mjekët: Helikopter sanitar për transportimin e 55-vjeçarit

Pacienti me nënshtetësi maqedonase, Llazi Stavenkovski, ndodhet në gjendje kritike për jetën. Pas transportimit që i kanë bërë shokët në Spitalin Ushtarak, 55-vjeçari ka rënë në koma cerebrale. Kjo do të thotë se pacienti ndodhet në një gjendje ku i ka të pezulluara të gjitha funksionet për të dalluar jetën përreth e për t‘u zgjuar, edhe pas stimujve intensivë.

Kjo gjendje krijohet si pasojë e një traume akute, si ajo që ka pësuar i aksidentuari pas shembjes nga skela, si shkak i rrëshqitjes së një masivi betoni. Pacienti ndodhet në Spitalin Ushtarak, në gjendje të rëndë, ndërsa pesë kolegët e tij janë jashtë rrezikut për jetën. Një nga përfaqësuesit e firmës, ku punonte Stavenkovski, ka sugjeruar dërgimin e menjëhershëm të tij në një nga spitalet e huaja, por mjekët shqiptarë nuk kanë rënë dakord, pasi gjendja e tij nuk mund ta përballojë udhëtimin përveç se me një helikopter sanitar. Një helikopter i tillë është projektuar për të transportuar pacientë, të cilët janë në gjendje të rëndë për jetën me të gjitha masat e nevojshme për të përballuar udhëtimin. Ndërsa vendi ynë nuk disponon të tilla pajisje.

"Sot janë paraqitur në qendrën tonë gjashtë të aksidentuar, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje të rëndë. Ai është një shtetas maqedonas, ndërsa janë jashtë rrezikut pesë të tjerët", deklaroi dje shefi i Traumës në Spitalin Ushtarak, Fatos Olldashi. Sipas tij, pacienti i cili ndodhet në gjendje kritike merr frymë artificialisht, ka dëmtime të rënda në kokë. Një nga mjekët që e ka parë pacientin, ka treguar se 55-vjeçari ka pësuar goditje në kafkë. Rrugëzgjidhjet e menduara dje kanë qenë dy, njëra për t‘i kryer ndërhyrje në Qendrën Ushtarake dhe tjetra për ta dërguar jashtë, nëse gjendej mënyra për t‘u transportuar me një helikopter specifik për të tilla udhëtime. Një tjetër shtetas turk ka probleme me sytë, për të cilat po merr trajtimin e nevojshëm në Spitalin Ushtarak.

"Pjesa tjetër e pacientëve kanë probleme të lehta, po ndiqen nga mjekët dhe nuk ndodhen në gjendje të vështirë", sqaroi Olldashi.

Sipas tij, deri dje pasdite ende nuk dihej nëse do të kryhej një operacion apo do të dërgohet jashtë. Gjendja e tij e rëndë, me furnizim të frymëmarrjes artificiale, ka bërë që një grup mjekësh ta kenë pacientin nën kujdes të veçantë. Sipas drejtorit të Spitalit Ushtarak, Bedri Mihaj, pacientët janë nën kujdesin e vazhdueshëm të ekipit mjekësor.

Ndërkaq, tre nga pacientët, dy jordanezë dhe një maqedonas, ndodheshin dje në një nga pavijonet e shtrimit në Spitalin Ushtarak në gjendje të mirë shëndetësore. Të tre ndodheshin në një dhomë. Pacienti që është fotografuar nga gazeta "Shqip", është me nënshtetësi jordaneze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›