E Diel, 1 Nëntor 2026

Bie varianti i qeverisë, kryetarët e gjykatave 4 vjet

 Një kryetar gjykate, pas mbarimit të një mandati, mund të ketë të drejtë të riemërohet
TIRANË- Kryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit do të qëndrojnë në detyrë për katër vjet, aq sa është edhe mandati i deputetëve dhe të zgjedhurve vendorë. Komisioni parlamentar i Ligjeve, gjatë diskutimit të projektligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor", kanë vendosur që krerët e gjykatave të apelit dhe të shkallës së parë të qëndrojnë në detyrë për një periudhë katërvjeçare. Në këtë mënyrë, anëtarët e Komisionit të Ligjeve kanë rrëzuar propozimin e bërë nga qeveria, pikërisht në nenin 15, në të cilin parashikohej se, kohëzgjatja e krerëve të gjykatave do të ishte për 6 vjet. Kështu, në këtë nen përcaktohej se, "kryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit qëndrojnë në detyrë për gjashtë vjet, me të drejtë riemërimit, jo të menjëhershëm". Pas diskutimit të djeshëm, Komisioni i Ligjeve e ka reduktuar këtë periudhë kohore të mandatit të krerëve të gjykatave, në 4 vjet. Po ashtu, komisioni ka hequr nga neni 15 edhe fjalët "jo të menjëhershëm", çka do të thotë se një kryetar gjykate, pas mbarimit të një mandati, mund të ketë të drejtë të riemërohet menjëherë pas përfundimit të tij. Në këtë nen të miratuar dje, thuhet se mbarimi i mandatit të kryetarit të gjykatës deklarohet me Vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me kërkesë të motivuar të çdo anëtari të këtij këshilli. Përsa i përket kritereve që duhet të plotësojnë kandidatët për kryetarë të gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, komisioni i ka lënë ato të pandryshuara. Kështu, kandidatët duhet të kenë punuar jo më pak se katër vjet si gjyqtarë në gjykatat e të njëjtit nivel ose të niveleve më të larta; të jenë vlerësuar shumë mirë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, dy herët e fundit; të mos kenë masë disiplinore në fuqi; të kenë aftësi organizuese dhe menaxhuese.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›