E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Fshati Val në Martanesh, dy vjet pa drita

 
Një politikë e tillë, diskriminuese, vazhdon të zbatohet pothuajse në të gjitha fshatrat shqiptare
"Shqiptarët jetojnë edhe në qytetet e vogla, si Klosi, ku dritat ikin sot 12 orë"
TIRANË- Pavarësisht deklaratave të qeverisë dhe KESH-it për heqjen e kufizimeve të energjisë elektrike, duket se një pjesë e mirë e popullsisë shqiptare, kryesisht në fshat, vazhdon të vuajë ndërprerjen e saj për orë të tëra. Madje ka dhe fshatra të tilla, si fshati Val i Martaneshit ku energjia, falë mosinteresimit të KESH mungon prej më shumë se një viti. Partia Socialiste ka denoncuar dje këtë fakt, si një element tepër domethënës për të kuptuar se edhe pse në shekullin e 21, pjesë të tëra të Shqipërisë vazhdojnë të jetojnë në kushte tepër të këqija, ku mungon dhe energjia, si produkt elementar i jetesës. Kryetari i PS-së, Edi Rama duke marrë shkas nga ky rast absurd, ka shprehur solidaritetin e gjithë socialistëve me banorët e këtij fshati, duke kërkuar gjithashtu ndërhyrjen sa më shpejt të organeve shtetërore për zgjidhjen e kësaj situate. "Qeveria shqiptare dhe Kryeministri i Shqipërisë duhet të dëgjojnë se vetëm 30 km larg Tiranës, jeton një fshat i Komunës së Martaneshit, ku dritat janë prerë qysh në vitin 2006 dhe ku prej afro dy vjetësh njerëzit po largohen prej shtëpisë e prej tokës së tyre, për shkak të errësirës mesjetare që ka pllakosur fshatin",- tha kreu socialist, Edi Rama, në një dalje të posaçme për mediat. Por ajo që është më shqetësuese, sipas tij, është fakti se një politike e tillë diskriminuese vazhdon të zbatohet pothuajse në të gjitha fshatrat shqiptare. "Diskriminimi i fshatit shqiptar dhe i familjeve të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë, që jetojnë në fshat, por që nuk gëzojnë të njëjtat të drejta kushtetuese me shqiptarët që jetojnë në qytet, është konstante e politikës së vjetër të këtyre 17 vjetëve demokraci",- theksoi kryesocialisti. Sipas tij, është i rëndë dhe i papranueshëm diskriminimi që qeveria i bënë shqiptarëve duke i ndarë në trajtimin e tyre në qytetarë dhe fshatarë, kur është fjala edhe për plotësimin e kushteve minimale të jetesës. "Shqiptarët jetojnë edhe në qytetet e vogla, si Klosi, ku dritat ikin sot 12 orë. Shqiptarët jetojnë edhe në mijëra fshatra, ku dritat ikin gjithë ditën me orë të tëra, nga 6 deri në 14 orë. Por, shqiptarët jetojnë edhe në Val të Martaneshit, ku dritat nuk vijnë thuajse prej 2 vjetësh. Këta janë shqiptarë njësoj si të tjerët",- tha Rama. Ndërkohë që gjatë pasdites së djeshme, kryesocialisti Edi Rama ka vijuar turin e tij të "Dialogut me Shqipërinë" në Krastë, në Memaliaj dhe në Tepelenë. Në këto takime që zhvillohen në kuadër të "Dialogut me Shqipërinë" për çështjet sociale, Rama ka nënvizuar se Partia Socialiste do t'i japë shqiptarëve dinjitetin e qytetarëve evropianë
 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›