Emërimi, kryetarët e gjykatave vetëm nga KLD
Ligjet vendosën që krerët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit, të emërohen nga KLD me konkurrim të hapur
"Rrëzohet kërkesa e qeverisë që Alibeaj të ketë të drejtën e propozimit për kryetarët e gjykatave"
TIRANË- Kryetarët e gjykatave të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit do të emërohen nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, në bazë të konkurrimit të hapur të kandidatëve. Komisioni parlamentar i Ligjeve ka rrëzuar dje propozimin e qeverisë, sipas të cilit, krerët e gjykatave të shkallës së parë dhe të apelit do të emëroheshin nga KLD-ja, me propozim të ministrit të Drejtësisë. Pas një mbledhjeje me dyer të mbyllura, e cila ka zgjatur rreth tre orë, anëtarët e Komisionit të Ligjeve kanë miratuar me ndryshime nenin 14 të projektligjit "Për organizimin e pushtetit gjyqësor", nen në të cilin përcaktohen kushtet për emërimin e kryetarëve të gjykatave. Ndryshimi i bërë në këtë nen konsiston në atë se kush do t'i propozojë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, kandidatët për kryetarë të gjykatave. Në draftin e paraqitur nga qeveria thuhej se ky propozim duhet të vinte nga ministri i Drejtësisë, pra nga vetë ekzekutivi, në një kohë që komisioni e ka rrëzuar poshtë këtë, duke vendosur si kriter konkurrimin e hapur të kandidatëve për kryetarë gjykatash para Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Në fakt, miratimi i djeshëm i kësaj pike të draftit plotëson një tjetër kërkesë të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu, të paraqitur pak kohë më parë në Komisionin e Ligjeve. Spahiu kundërshtonte ndër të tjera edhe nenin në fjalë, ku qeveria i kthente sërish ministrit të Drejtësisë, të drejtën për të propozuar kryetarët e gjykatave. Po në këtë nen, komisioni ka ndryshuar dhe pikën 3 të tij, më saktë, termin e përdorur në këtë pikë, e cila përjashton që anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë të jenë anëtarë të Gjykatës së Shkallës së Parë dhe i Gjykatës së Apelit. Nëse më parë në këtë pikë thuhej se, "Kryetari i Gjykatës së Shkallës së Parë dhe i Gjykatës së Apelit nuk mund të jenë anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë", tashmë fjalët "nuk mund të jenë" janë zëvendësuar me ato "të mos jenë". Mbledhja e djeshme e Komisionit parlamentar të Ligjeve, është fokusuar në ato nene që kanë të bëjnë me kryetarët e gjykatave, kriteret për emërimin dhe lirimin e tyre në detyrë, si dhe kohëzgjatjen. Thuajse të gjitha nenet e miratuara dje kanë pësuar ndryshime. Ndryshime ka pësuar neni 16, që flet për kompetencat e Kryetarit të gjykatës, sipas të cilave, një pjesë e kompetencave të parashikuara i kalojnë kancelarit. Edhe neni 17, që flet për regjistrin e gjyqtarëve, ka pësuar ndryshime. Nëse në formën e tij fillestare ai parashikonte që pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë krijohet regjistri i gjyqtarëve të shkallës së parë dhe të gjykatave të apelit, tashmë ky nen parashikon edhe krijimin e regjistrit të gjykatave. Sipas ndryshimeve, në këtë regjistër do të ketë akses edhe ministri i Drejtësisë, edhe pse disa prej anëtarëve të komisionit nuk e sqaruan se çfarë sillte në të vërtetë ky ndryshim. Deri tani, komisioni ka miratuar në total 17 nene, nga 45 që janë gjithsej, dhe puna pritet të vazhdojë sërish sot.