Ndoka: Berisha nuk qeveris dot pa aleatët
Kryetari i PDK-së, Ndoka shprehet se pa votat e aleatëve, qeveria nuk ka as 71 vota
"Imagjinoni PD, e cila s'mund të votojë as Topallin nëse aleatët do të jenë kundra"
TIRANË- Ndryshimet në qeveri, të kërkuara herë pas herë nga eksponentë të mazhorancës, duket se po shkaktojnë konfuzion në radhët e së djathtës. Pavarësisht se kryeministri Berisha ka deklaruar se për momentin nuk ka ndërmend të riformatojë kabinetin, aleatët i bëjnë apel që të ketë kujdes në çdo lëvizje që mund të bëjë për këtë çështje, duke i kujtuar që pa ta, Partia Demokratike nuk i ka votat për të qeverisur. Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, njëherësh ministër në kabinetin qeveritar, ka deklaruar dje për mediat se, në rast se Berisha vendos të ndryshojë qeverinë, atëherë ai nuk duhet të prekë aleatët. Kjo, sipas tij, për faktin se pa votat e aleatëve Berisha nuk mund të mbrojë as Kryetaren e Parlamentit apo vetë qeverinë, në rast se do të ketë një mocion përkatës. "Nëse do të qeverisë e vetme, është diçka e pamundur. Nëse ka një ide, një strategji, duhet të mendojmë për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Ky është realiteti politik. Pra, është toleranca e partive aleate. Imagjinoni një mazhorancë, e cila nuk ka 71 vota për të qeverisur. Imagjinoni Partinë Demokratike, e cila nuk mund të votojë as Kryetaren e Parlamentit nëse aleatët do të jenë kundra saj, nëse do të ketë nesër një mocion për kryetaren e Parlamentit ose për qeverinë",- është shprehur Ndoka. Megjithatë, kreu i PDK-së thotë se, në rast se do të ketë një riformatim të kabinetit, atëherë demokristianët do të kërkojnë dy ministri, në bazë të peshës reale të partisë. "Ajo është në dëshirën e zotit Berisha dhe ai mund ta bëjë në çdo moment. Këtë të drejtë ia jep Kushtetuta, por debatet pa fund e dëmtojnë dhe e pengojnë një qeveri, një mazhorancë, që të ecë para. Nëse do flasim për një realitet tjetër politik, për një rikompozim, për peshën specifike të partive në Kuvendin e Shqipërisë, pa diskutim që Partia Demokristiane do të jetë e përfaqësuar me dy ministri",- tha ai. Përsa i përket kërkesave për riformatim të koalicionit të djathtë, Ndoka shprehet parimisht dakord, duke theksuar se nëse kjo do të ndodhë, atëherë parti të së djathtës do ta kenë të vështirë të mbijetojnë, pasi janë rritur në mënyrë artificiale nga Partia Demokratike. "Ka parti politike që janë rritur në mënyrë artificiale nga mbështetja e PD. Fare mirë, me një realitet të ri politik, mbijetesa e tyre do jetë disi e vështirë. Mund të ketë një rigrupim të së djathtës, një riformatim të saj. Sa më e gjerë është aleanca, aq më e sigurt është mazhoranca edhe për një mandat tjetër",- u shpreh kreu i demokristianëve.