Kosova, Topi replikë me deputetin serb
Presidenti Topi tha se Kosova nuk mund të mbetet peng i statusit të papërcaktuar.
Deputeti serb: Ç'kuptoni me termin "kosovar". Topi: Janë qytetarë të Kosovës
TIRANË- Shqipëria konfirmon edhe një herë qëndrimin e saj të vendosur se pavarësia është e vetmja zgjidhje për statusin përfundimtar të Kosovës. Presidenti shqiptar Bamir Topi ka shprehur në mënyrë të qartë dhe të prerë përpara Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës se Shqipëria në vijim të qëndrimeve të saj mbështet vetëm zgjidhjen e statusit të Kosovës nëpërmjet zbatimit të paketës së propozimeve të paraqitur nga ish-deleguari i posaçëm i OKB-së, Martih Ahtisari. Duke folur përpara kësaj asambleje, kreu i shtetit shqiptar Bamir Topi nuk i ështëshmangur dot as vlerësimeve të tij për çështjen e Kosovës, duke bërë të qartë se zgjidhja sa më parë e saj do të krijonte një element më të madh sigurie në rajonin e Ballkanit. "Republika e Shqipërisë vlerëson se zgjidhja e qartë dhe e shpejtë e statusit të Kosovës, që është pavarësia e saj, është një domosdoshmëri që diktohet jo vetëm nga realiteti në Kosovë, por edhe nga interesat e stabilitetit dhe të sigurisë afatgjatë në rajon. Shqipëria është e bindur se vetëm një Kosovë e pavarur dhe demokratike, brenda kufijve të tanishëm, e orientuar drejt integrimit euroatlantik, është zgjidhja më e drejtë dhe më e qëndrueshme, faktor stabiliteti, paqeje e begatie për rajonin e Ballkanit e më gjerë", - theksoi Topi në fjalën e tij të mbajtur dje në Asamblenë parlamentare të Këshillit të Europës. Duke shprehur mungesën e besimit se kjo çështje do të mund të zgjidhet nëpërmjet Këshillit të Sigurimit në OKB, kreu i shtetit shqiptar ka ftuar BE-në, SHBA-në dhe NATO-n që të marrin në dorë fatin e kësaj çështje duke vënë në jetë propozimet e paketës së Ahtisarit. "Kosova nuk mund të mbetet peng i statusit të papërcaktuar. Nëse zgjidhja nëpërmjet Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara dështon, ne gjykojmë se Bashkimi Europian, NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të marrin menjëherë iniciativën diplomatike për zbatimin e Paketës Ahtisari dhe krijimit të kushteve që, shteti i ri i Kosovës, të përfshihet në familjen e kombeve", theksoi Topi.
Debati
Çështja e Kosovës ka qenë në qendër edhe të interesit të deputetëve të Këshillit të Europës gjatë seancës së pyetjeve që zhvilluan me presidentin e republikës. Pikërisht kjo çështje është bërë shkak edhe për një debat me përfaqësuesin e Partisë Socialiste të Serbisë Ivica Daçiçi cili me anë të një pyetje provokuese ka kërkuar të dijë nga presidenti shqiptar se çfarë kuptonte me termat "kosovar" dhe "shqiptar", dhe nëse ata janë të njëjtë?. Lidhur me këtë pyetje kreu i shtetit duke kërkuar që të shmanget nga lojëra e fjalëve ka theksuar se, "midis pamundësisë së disave për të absorbuar dhe për të interpretuar termat nuk mendoj që e njëjta situatë është edhe tek të tjerët. Ne i konsiderojmë ata që ju i quani kosovarë, qytetarë të Kosovës". Ndërkohë që lidhur me pjesën e dytë pyetjes insistuese të deputetit serb Daçic nëse Kosova dhe Shqipëria do bashkohen në të ardhmen, Presidenti Topi u përgjigj se "Shqipëria dhe Kosova janë dy vende të cilat rregullohen nga institucionet e tyre. Kjo duhet të kuptohet në mënyrë të qartë që nuk ka asnjë lloj konotacioni tjetër, përveçse dy vende, të cilat kanë institucionet e tyre, do të kenë marrëdhëniet e tyre në të ardhmen pa cenuar në mënyrë absolute kufijtë e tyre dhe ajo që ne kemi në perspektivën tonë është pikërisht integrimi i vendeve tona, ashtu siç janë në familjen euroatlantike".