Mediu: Duhet tryezë për vlerësimin e punës
"Çdo diskutim institucional, do ndihmojë për një gjykim më të qartë nga gjithsecili"
TIRANË- Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka ripërsëritur dje qëndrimin e tij se qeveria ka nevojë të ndryshojë, por që ky ndryshim duhet të ndodhë në një kohë të mëvonshme, pasi energjitë duhet të përqendrohen tek realizimi i standardeve në përputhje me kërkesave e vendeve anëtare të NATO-s. "Ndryshimi është i nevojshëm. Por, theksoj që të gjitha energjitë tona duhet të fokusohen pikërisht në realizimin e standardeve dhe detyrimeve për qytetarët tanë, në përputhje me kërkesat që kanë vendet anëtare të NATO-s për të marrë ftesën për anëtarësim",- është shprehur dje Mediu, duke theksuar se çdo lloj devijimi i këtij objekti, do të bënte që të konsumoheshin energji të tepërta në drejtim të panevojshme. Mediu, njëherësh ministër i Mbrojtjes në qeverinë "Berisha", përkrah idenë e mbledhjes së tryezës së mazhorancës, e cila të diskutojë lidhur me mënyrën se si funksionon qeveria dhe koalicioni. Çdo diskutim institucional, sipas kreut të republikanëve, do të ndihmojë që gjithsecili të gjykojë për punën e bërë, por mbi të gjitha, do të ndihmojë vetë kryeministrin Berisha. "Në qoftë se flasim për mënyrën se si funksionon Këshilli i Ministrave, në raportet e koalicionit, unë mendoj që çdo subjekt politik, në mënyrë institucionale, ka të drejtë që të ulet dhe të diskutojë për çështje që i konsideron prioritare, të aspektit të zhvillimit të ekzekutivit, të raporteve me mazhorancën, të raporteve me Parlamentin, apo edhe me detyrimet me ata që kanë votuar. Dhe unë mendoj që, çdo diskutim institucional do të ndihmojë për një gjykim më të qartë nga gjithsecili prej nesh, si përfaqësues të mazhorancës, edhe të vetë Kryeministrit, në punën që bëjmë",- tha ai. Në mënyrë të vazhdueshme, kohët e fundit, ministri Fatmir Mediu ka ripërsëritur kërkesat e tij për një analizë në qeverisje, por mbi të gjitha për riformatimin e koalicionit të djathtë, duke nënkuptuar largimin e atyre partive që nuk janë realisht të djathta.