Bumçi: Mosha e gjyqtarit, po shihet një zgjidhje
TIRANË- Komisioni parlamentar i Ligjeve nuk i ka dhënë as dje zgjidhje, çështjes së përcaktimit të moshës për t'u bërë gjyqtar. Kjo është pohuar dje nga anëtari demokrat i komisioni, ish-ministri i Drejtësisë, Aldo Bumçi. Sipas tij, mendohet që mosha e përcaktuar për t'u bërë gjyqtar të jetë 30-vjeç dhe po shihet mundësia që kjo të mos përfshihet në ligjin që po diskuton aktualisht komisioni, por të gjendet një tjetër zgjidhje. "Deri më sot, nuk ka pasur një moshë minimale për t'u bërë gjyqtar dhe mendohet që mosha për këtë rast të jetë 30-vjeç. Gjithsesi, në diskutimin për moshën e gjyqtarit do të shikohet nëse kjo mund të zgjidhet në një mënyrë tjetër dhe jo të përfshihet në ligj, tha ai, ndërsa vlerësoi si shumë pozitive dhe konstruktive punën në komision dhe theksoi se projektligji nuk është tabu, çdo nen i tij, është i hapur për ndryshime",- tha Bumçi. Vendosja e moshës 30-vjeç si kriter për gjyqtarët, është një propozim që është bërë nga grupi i ekspertëve. Në të dyja mbledhjet e fundit të komisionit, ky kriter ka ngjallur dhe një diskutim të gjatë midis anëtarëve të komisionit, një pjesë e të cilit ka vlerësuar se vendosja e një kriteri të tillë, bie ndesh me Ligjin për Magjistraturën, apo edhe me përvojën e vendeve të tjera.