Bielefeldi i Fatmir Vatës humbet ndaj Bajernit, trajneri jep dorëheqjen

Albania-Sport - Ka qenë një e dielë për t'u harruar kjo për mesfushorin shqiptar, Fatmir Vata, dhe skuadrën e tij, Arminian e Bielefeldit, pasi, përpos faktit se është mundur, ndonëse minimalisht, 1-0 në "Allianz Arena" kundër Bajernit, ajo ka humbur edhe trajnerin e saj. Tomas Von Hesen ka dhënë dorëheqjen menjëherë pas humbjes me Bajernin dhe vendin e tij do ta marrë ndihmësi i tij, Frank Gaidek, i cili supozohej ta merrte këtë post në verë të këtij viti.
Në ndeshjen që u vendos në favor të bavarezëve nga goli i holandezit Roi Makai, që në minutën e 9-të, Fatmir Vata u fut në fushën e lojës në minutën e 72-të, duke zëvendësuar Marksin, por pa arritur të japë ndihmesën e tij në shmangien e kësaj humbjeje. Pas 21 javësh kampionat, Arminia e Bielefeldit mban vendin e 11-të të renditjes, me 23 pikë, por vetëm pesë pikë e ndajnë nga Hamburgu i vendit të fundit.
"Pësuam një gol që në fillim, për shkak të një gabimi foshnjarak në qendër të mbrojtjes dhe, ndonëse nuk do të ishte aspak e lehtë paskëtaj, ne luajtëm lojën tonë, duke treguar karakter, por duke na munguar ajo vendosmëria e duhur për të kërkuar me ngulm barazimin dhe kjo ishte ajo që vendosi fatin e ndeshjes", - tha trajneri i Arminias, Von Hesen, i cili vijoi të bënte të ditur dorëheqjen e tij. "Që përpara kësaj ndeshjeje, ne kishim vendosur që unë të largohesha të hënën", - ka sqaruar 45-vjecari, nën drejtimin e të cilit Arminia e Bielefeldit nuk shijonte fitore në këto 9 javë të fundit në kampionat.