E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erjon Bogdani: Inter mbetet gjithsesi “Inter”!

Albania-Sport - "Interi është një skuadër e madhe, e cila jo më kot kryeson renditjen e Serisë A e shkëputur plot 11 pikë nga ndjekësja më e afërt, Roma, dhe kjo ishte ajo që bëri diferencën midis nesh dhe zikaltërve, - ka deklaruar Erjon Bogdani, duke folur ekskluzivisht për Albania-Sport.com, nëpërmjet linjës telefonike. - Pavarsisht rezultatit, mund të them se Kievo luajti mirë në këtë ndeshje dhe kjo skuadër premton mbijetesë."
Në fakt, shqiptari ka qenë për plot 76 minuta në lojë përballë kampiones në fuqi dhe kryesueses aktuale të Serisë A, Interit, në ndeshjen e zhvilluar në Veronë, por pa arritur të jetë edhe aq rezultativ në lojën e skuadrës së tij. Në fakt, Kievo u godit që në minutën e parë të ndeshjes, kur Adriano shënoi golin e parë të Interit, dhe, paskëtaj, ishte një mision thuajse i pamundur barazimi apo përmbysja për djemtë e trajnerit Luixhi Del Neri.
Bogdani do të dalë në pah në minutën e 13-të të ndeshjes, kur do të pasojë për Obinanë, por goditja e këtij të fundit, nga jashtë zone, ishte qendrore dhe pritet nga portieri i Interit, Hulio Sezar. Pjesa e dytë nis pak a shumë si e para dhe Interi dyfishon epërsinë e golave në minutën e 51-të, me anë të Hernan Krespos. Vetëm dy minuta më pas, Bogdani përfiton nga një pasim i Samarkos dhe godet me të djathtën nga jashtë zone, por portieri mik arrin ta grushtojë topin.
Ky do të ishte edhe kontributi i fundit domethënës për shtatlartin shqiptar, pasi ai do të zëvendësohej në minutën e 76-të, nga Xhuzepe Kocolino. Kievo mbetet në vendin e 17-të të renditjes, në kuotën e 18 pikëve, por vetëm një pikë para Mesinës dhe tre pikë përpara Parmës së vendit të parafundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›